Turizmi në vjeshtë, mediat italiane: Vizitoni Shqipërinë!

Jo vetëm stina e verës, por edhe fillimi i vjeshtës janë periudhat më të përshtatshme për të vizituar Shqipërinë, pasi temperaturat janë të ngrohta dhe mund të shijoni vizitat turistike, pa fluksin dhe çmimet e sezonit veror, shkruan media italiane “Lonely Planet Italia” në artikullin e fundit.

Shtatori dhe tetori janë muaj të përshtatshëm për të shijuar rivierën e bukur shqiptare. “Lonely Planet Italia” rekomandon për t’u vizituar gjatë kësaj periudhe Gjirokastrën dhe Beratin, pasi nga shtatori deri në mes të nëntorit, ka më pak njerëz, trafiku nuk është i rënduar dhe malet përreth ofrojnë peizazhe fantastike. Gjithashtu edhe Kanioni i Osumit pranë Beratit, një nga kanionet më spektakolare të Evropës, me mure shkëmbore të harkuara dhe hapësira të gjera që janë tepër unike.

Gjithashtu, media italiane e udhëtimeve sugjeron edhe Tiranën, që është plot gjallëri, me një identitet shumë dimensional dhe në vjeshtë mund të vizitohet më lehtësisht. Kryeqyteti shqiptar ofron pika të shumta atraktive për çdo kategori vizitori e turisti.

Ndërsa për të gjithë ata që duan natyrën dhe aventurat në vjeshtë, “Lonely Planet Italia” rekomandon Thethin dhe Valbonën, që lidhen përmes Parkut Kombëtar të Alpeve Shqiptare. Ky itinerar eksploron shtegun historik mes dy luginave dhe u rekomandohet personave të stërvitur dhe që kanë përvoja në terrenet malore.

Në përmbyllje të artikullit, media italiane “Lonely Planet Italia” sugjeron Vjosën, një nga lumenjtë e mëdhenj të fundit të egër të Evropës. Parku Kombëtar i Vjosës mbron të gjithë korridorin ekologjik, duke përfshirë brigjet me zhavorr, pyjet aluvionale dhe kthesat e lumit, të cilat janë habitat për specie të rralla.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT