Pse kujtohemi kaq vonë për mjekët…

Nga Bedri Islami
Ra ky virus dhe u kujtuam se ata janë aty, mes njerëzve dhe kaq të domosdoshëm. Nuk i kemi parë kur janë ankuar për pagat e ulëta, i kemi përqeshur sa kemi mundur kur i kanë goditur dhe kemi thënë se “diçka kanë bërë, se ndryshe nuk të godit njeri”, i kemi harruar se përmes tyre mund të rrjedhë një jetë më e qetë dhe më e begatë; kemi parë ministër të shëndetësisë edhe një profan që nuk ia vlen për asgjë, si Nard Ndoka; e kemi mirëtrajtuar faktin se në krye të dikastereve kanë qenë njerëz të politikës që edhe vetë e kishin harruar se dikur ishin mjekë; heshtim edhe tani kur një i pandëshkuar e godet një ministre të denjë për punën e saj dhe e quan Hajdute, pa pasur pikë turpi, kemi heshtur kur një figurë politike si Ilir Beqja është vënë ministër i këtij dikasteri dhe ka nisur proçesi i fshehtë dhe i dëmshëm i konçensioneve mizore…pra, edhe pse i kemi ditur, i kemi njohur, i kemi parë, na janë dukur si 50 hijet e dikujt tjetër.
Mjekët ndërkaq iknin..më shumë se për një pagë më të lartë, për më shumë dinjitet, për të drejtën e profesionit pa u futur politika mes tyre..për të dhënë vetë mesazhe drejt së dobishmes dhe jo të dëgjojnë zërin e shefit të qeverisë si i tellallit në “Koncertin e vitit 36”, për të mos dëgjuar në studio televizive gra të politikës që bëjnë ciniken ndaj atyre që sakrifikohen, gra që mbjellin terrin, edhe kur përballë vetes kanë njerëz që sjellin dritën e jetës.
Disa ditë më parë, një ish-deputete, pa asnjë ndrojtje se po fyen një figurë të nderuar të mjekësisë sonë, merr përsipër ta përqeshë punën e tij, të bëjë “të fortën” e politikës, kur vetë ia ka mbathur, ndërsa nga ana tjetër, dhjetra e ndoshta qindra vetë, mjekë e studentë, janë të gatshëm të bashkohen me kolegët e tyre.
Kujtohemi vonë për mjekët, shumë vonë. Ashtu si ndodh me të gjithë njerëzit e shkencës, të cilët, më parë i harrojmë, sesa kujtohemi. Figura të shquara të mjekësisë në Shkodër, që kanë hedhur themelitë e shkencës, si doktor Todhi, Naraçi, Bekteshi, Gjylbegaj, doktoreshë Kraja, doktoreshë Çobaj, janë lënë në harresë dhe vendin e tyre e zënë njerëz të politikës, jeta e të cilëve nuk të thotë asgjë.
Përse tani dalim e duartrokasim mjekët?
Sepse një virus na e kujtoi këtë. Na kujtoi se përtej politikës, që në fakt shpesh herë ishte virusi i përditshëm i jetës sonë, ka edhe njerëz të tjerë, të cilët, në një moment sublim, janë të gatshëm për të qenë të sakrificës.
Qindra prej tyre janë larguar. Të tjerë po bëhen gati të ikin nga ky vend, ku nuk jetuan në vështirësi, po ku nuk gjetën atë që duhej të gjenin: maturinë e shtetit, dinjitetin e tyre.
Mendojmë lehtësisht se të gjithë po ikin për një pagë më të mirë. Një infermiere në Itali pohoi se paga e saj është 1.300 euro. Hiq prej këndej shpenzimet e tjera, si qira, ujë, drita,pastrim etj, i mbetët pak më shumë se gjysma për jetesën e saj. Pak a shumë këto paga janë edhe në shtetet e tjera të Perëndimit, duke përjashtuar klinikat private, të cilat nuk kanë paga më të larta se ato të mjekëve shqiptarë në klinikat private.
Atëherë pse ikin?
Sepse, mbi të gjitha u mungon pikërisht ajo që po u jepet sot, në kushte shumë të veçanta dhe që nesër përsëri mund të harrohet: mirënjohja e njerëzve dhe respekti i shtetit.
Shteti deri më tani i ka nëpërkëmbur. Nuk e ka dashur thuajse kurrë mendimin e tyre. I ka quajtur numra të një sistemi dhe i ka trajtuar si të tillë. Kur i kanë sulmuar mjekët, deri në kabinetet e tyre, ka bërë një deklaratë plotë pathos, por bosh nga brenda. Gjithçka është harruar. E ktheu sistemin në një mjedis privat, ku lulëzuan PPP-të dhe konçensionet nga të gjitha qeveritë. Shumë nga mjekët e shquar i dëboi sapo u erdhi mosha e pensionit dhe vetëm kur kishte rrugë tjetër, bëri një sy qorr e një vesh shurdh. Ndërkohë ata ishin vetë dija e grumbulluar në dekada.
Tani kemi rënë në hall për ta. I duam më shumë nga halli, se sa nga një ndjenjë e brendshme. I duam se na duhen dhe nesër mund t’i harrojmë. Do i nëmin përsëri, si bën një ish mjek, edhe pas tridhjetë viteve, duke hedhur një pezëm të pashoq nga hidhërimi, shpirtligësia dhe mjerimi. Ose do i trajtojmë si numra, si ndodh sot nga një shef qeverie që, edhe pse nuk ka asnjë lidhje me atë çka ndodh, bën të parin e gjithë mjekëve të botës.
Unë e di mirëfilli se çfarë do të thotë një mjek në familje, e di jetën e tyre, mundimet, shqetësimet. Kemi patur aq shumë mjekë në fisin e nënës sime e rreth tij, sa mund të ishte hapur një spital privat me të gjitha specialitetet, që nga gjinekologjia, ku ishte doktor Ilir Gjylbegaj, pediatri, Xhavid Gjylbegaj dhe Ylfete Gjylbegaj, mësuesja kujdestare e Berishës në politeknikum, të cilës Berisha, sapo erdhi në pushtet ia pushoi të birin, nipin e mbesën nga puna; onkologë, si Arbana Gjylbegaj dhe Skender Zaimaj, kirurgë si Sabri Caka, psikologë, mjekë të përgjithshëm, si ime motër, …disa nga të cilët nuk jetojnë më dhe merituan respektin e njerëzve. Çuditërisht, më shumë u nderuan në shtetin monist se në pluralizëm.
Ra kjo kohë dhe u kujtuam se mjekët janë heronjtë tanë.
Mos ta harrojmë këtë edhe kur kjo kohë do të kalojë.
Mos të kthejmë kokën pas kur përballë nesh të shfaqen këto njerëz, që sot, jo papritmas nga jeta e tyre, u bënë të pazëvendësueshëm.
Ndoshta edhe shteti fillon të mendojë se dinjiteti i tyre nuk është shtesa 1.000 euro në muaj , apo edhe 500 për infermierë, sanitarë e shoferë ( sikur këto rrezikohen më pak), por shumë më tepër.
Është çështje dinjiteti zoti kryeministër e jo eurosh në kohën e virusit…
****
Botuar në Dita. Ndalohet ribotimi i plotë ose i pjesshëm pa lejen me shkrim të redaksisë