“Durrësi” i betonit

Nga Ardit Kërtusha
Para dhjetë viteve a më shumë, kur kjo shprehje mori jetë, ne ishim të rinj dhe veshi jonë ishte i pa rrahur shumë me termin beton. Për betonin dinim shumë pak, që në atë periudhe na dukej mjaftueshëm, dinim dhe mjaftoheshim me faktin që betoni sinjifikon fortësinë, rezistencën dhe pavdekshmërinë në vite.
Por e verteta nuk paska qenë kështu. U desh tërmeti i 26 nëntorit që të kuptonim që betoni na paska cilësi, na paska markë siç e emërtojnë specialistët e fushës.
Kuptuam që ekzistonin dhe matrapazë betoni, të cilët nuk paskan luajtur rëndom me xhepat tanë, siç bëjnë ata, por akoma më keq, paskan luajtur me jetët tona dhe të fëmijëve tanë.
Tani u trishtuam sepse e vërteta për kapitalizmin e frikshëm të vendit tonë e kalon çdo masë spekulimi, dhe mashtrimi për arsye fitimi; vrasja qenka mjeti i fitimit dhe jo vrasje të lexuara nëpër histori të bëra nga vrases me pagesë, por vrasje të bëra nga inxhinjerë ndërtimi nga konstruktorë, nga zbatues si dhe nga “presidentët” e firmave të ndërtimit në Shqipëri.
Lëvizja demokrafike pas viteve 90, ku zonat rurale të orientuara e të paorientuara u dyndën drejt qyteteve kryesore i rriti dukshëm nevojat e këtyre qyteteve për strehim.
Ne çfarë bemë? Meqënëse shteti ishte inekzistent, u lamë dorë të lirë matrapazëve dhe batakçive që të vendosnin per ne, se ku duhej ndërtuar se sa kate mban kjo apo ajo zonë për ndërtim, ata vendosën ato koefiçentët e shfrytëzimit.
E kuptuan shpejt që ky biznes ishte frytdhënës dhe objekt pastrimi parash. Në një pikë mjaftonin lekët dhe komunikimi me kryetarin e Bashkisë për të dakortësuar 20 % dhe projekti i tetëvjeçares bëhej gati për t’u vënë në zbatim. Ishte gati që më 26 nëntor të merrte jetë njerezish.
Po fundja kujt i intereson ?
Matrapazi vrasës apo Kryebashkiaku bashkëpunëtor në krim, nën petkun e fatkeqësisë natyrore sot ngrenë supet.
Për ta s’ka ndodhur asgjë dhe ata s’janë të përfshirë. Por fatkeqësitë tona qenkan mizore dhe selective, pasi zgjodhën vetem pallatet e ndërtuar së fundmi dhe tek tuk ndonjë pallat të ndërtuar para viteve 90, por dhe këto të modifikuar me lejet e “tranzicionit” duke prishur mure mbajtës dhe trare për të zmadhuar marzhin e fitimit për bizneset e tyre.
Ndërsa ndërtimet e periudhës së italianëve si dhe pjesa dërrmuese e pallateve të ndërtuar me kontribut vullnetar rrinë kryelartë me shenjën “të banueshme” përbri.
Eh mor Termet qe s’bie gjithandej njësoj, të vjetrit i mbajte me hatër dhe i re siç i bjen’ gjithmonë të riut!
Tërmet largohu nga Shqiperia…
E treguam që trashegojmë një sistem të rëndomte emergjencash civile, ku buxheti për to u zvogëlua në mënyrë progresive çdo vit dhe është parë gjithmonë me syrin që ç’na duhen, ne në emergjencë jemi gjatë gjithë kohës.
Por ja që ky tërmet na tregoi që ka gjendje emergjence më të rënde dhe më të keqe se kjo që përjetojmë çdo ditë.
Degjuam pa fund histori me qen, mace, kafshë kërkim shpetimi dhe u la mënjanë faktori njeri.
Ky faktor i pa trajnuar, i pastërvitur, i pa pajisur me parimet bazë të kërkim shpëtimit, ky faktor që tregoi që në ditë tërmetesh kishte vetëm shpirtin dhe deshirën për të ndihmuar dhe asgjë tjetër.
Rezultati ishte që nuk mjaftojnë këto për të shpëtuar ata dhjetëra njerëz, të cilët u dergjën nën rrënoja. Ne duhet dhe mund të bëjmë më mirë.
Le të na shërbejë ky mësim për përvojë dhe për përmirësim për të gjitha oraret e pushtetit, si atij qendror dhe këtij tonit lokal, ku tashmë është krijuar rradha kilometrike me qytetarë që vijnë nga çdo njësi administrative për të aplikuar për bonus qeraje.
Shumë mirë këtë pune mund ta bente çdo njësi administrative nqs në staf të tyre do të kishin më shumë se një inspektor.
E sikur të mos mjaftojë rradha, qytetarët durrsakë përballen edhe me zyra gjysmë boshe, në të cilat kur pyet në koefidencë të thonë: Po ç’të bëjmë, kaq kapacitte kemi se ky eshte filani, kjo është nusja e fistëkut, ndërsa kjo që kam ngjitur dhe nuk vjen kurrë është goca e Seitit.
Po kush është Seiti? Se filanin dhe nusen e fistekut po i mirëkuptojmë se jemi emocionalë “për krahun tonë”, po e Seitit pse.
Se ai është eksponenti i fortë i Partisë Demokratike në Durrës dhe ka mbajtur funksione të larta në atë kohë në administratë dhe socialistët tanë i shikonte si të deklasuar, ç’ne kjo zemërgjerësi bashkiake për të.
Aty nga nënvetëdija na del që ky zotëria na paska ndihmuar gjithmonë në Këshillin Bashkiak, bashkë me disa anëtarë të tjerë të kompromentuar, që vetëm të djathtë nuk paskan qenë për të kaluar “vendimet tona” të mbushura me pikëpyetje.
Madje ky negocionte edhe me perfektët e kohës që t’i legjitimonte më pas këto vendime.
Ah mër Durrës i betonit, çfarë nuk ke kaluar ti!
****
Botuar në Dita