Komisionerja për Zgjerim jep DATËN: Nëse Edi vazhdon punën e mirë, Shqipëria futet në BE në …
Komisionerja për Zgjerimin e BE-së, Marta Kos, gjatë pjesëmarrjes në Forumin Strategjik të Bledit, u shpreh se Shqipëria mund të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian në vitin 2029, nëse qeveria e Edi Ramës vijon me ritmin aktual të reformave.
“Kemi hapur edhe dy grupkapituj me Shqipërinë dhe ramë dakord me kryeministrin Rama që së pari të festojmë në Bruksel dhe më pas vitin tjetër në Tiranë me një ndeshje futbolli mes vendeve anëtare dhe atyre kandidate, ku do të marrë pjesë edhe presidenti i UEFA-s,” tha Kos. “Në vitin 2028 mund të kemi 28 anëtarë, dhe nëse Edi vazhdon në këtë rrugë, në 2029 mund të bëhen 29. Por unë kam vetëm katër vjet mandat, prandaj duhet të shpejtojmë.”
Kos theksoi se vendet kandidate duhet të përmbushin të gjitha reformat, duke nënvizuar se suksesi i procesit varet nga lidershipi politik. “Duhet të kemi udhëheqës që besojnë vërtet se BE është alternativa më e mirë, që i vendosin reformat mbi interesat e ditës, që dinë të zgjidhin çështjet dypalëshe dhe që e konsiderojnë detyrë të shtyjnë qytetarët drejt këtij objektivi,” u shpreh ajo.
Ajo shtoi se anëtarësimi nuk është vetëm çështje burokratike në Bruksel, por varet edhe nga mbështetja publike. Kos kujtoi se sipas zotimit të Borrell, deri në vitin 2030 si BE ashtu edhe vendet kandidate duhet të jenë gati për zgjerimin, ndërsa nënvizoi se shteti i së drejtës dhe liria e medias janë kritere të panegociueshme.
“Gjeopolitika ka ndryshuar,” paralajmëroi ajo, duke përmendur ndikimet e jashtme destabilizuese. “Ka forca që duan ta shohin Evropën të dështojë, ndërsa Rusia po ushtron presion të fortë kundër qeverisë aktuale të Moldavisë.”