Protesta në Hagë: Këngëtari i njohur Arif Vladi i zhgënjyer, asnjë artist shqiptar nuk ishte atje

Rreth 5 mijë shqiptarë u mblodhën këtë fundjavë në Hagë për të mbështetur ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të akuzuar për krime lufte. Protesta u zhvillua një ditë para se të nisë paraqitja e provave nga mbrojtja e ish-udhëheqësve.

Mes pjesëmarrësve, këngëtari Arif Vladi shprehu zhgënjimin që nuk pa kolegë artistë shqiptarë. Në një intervistë për emisionin “Puls” në A2 CNN, Vladi tha:

“Duhet të isha atje bashkë me mijëra shqiptarë, përkrah çlirimtarëve që po mbahen padrejtësisht. Prisja të shihja shumë artistë të tjerë, por nuk pashë askënd, përveç organizatorëve dhe disa ish-luftëtarëve të UÇK-së.”
Ai kujtoi gjithashtu kohën e viteve 1997-1998, kur së bashku me disa artistë të njohur krijuan këngë si “Marshi i UÇK-së” për të mbështetur lëvizjen çlirimtare.

“Më zhgënjeu shumë, madje më ktheu pak mbrapa, në ’97-’98, kur ne, një grup artistësh, me të shquarit Gjok Beci, Agim Doçi, Edmond Zhulali, krijuam menjëherë pas rënies së kullës së Jasharëve këngën “Marshi i UÇK-së” dhe “Jam Kosova e Shqiptarisë”. Në atë kohë, autoritetet zyrtare në Shqipëri i quajtën lëvizjet e para grupe rebele, gati grupe kriminale. Pra UÇK-në e fillimit. U krijuan këto këngë dhe me iniciativën e këtyre artistëve dhe shumë të tjerëve, do ta ndihmonim lëvizjen çlirimtare të Kosovës me koncerte në Europë, ku të gjitha fondet do të kalonin në nidhmë të luftës dhe katastrofës humanitare që ndodhi”. – tha Vladi./ E.K
Burimi: A2 CNN

Back to top button
LAJMET E FUNDIT