Atentatet njëri pas tjetrit, Artan Hoxha zbulon çfarë po ndodh në Shkodër: Ngjan me Palermon e viteve 80’

Gazetari Artan Hoxha komentoi atentatin tragjik në Shkodër ku një ditë më parë humbën jetën Armando Pali dhe Liridon Kraja, ndërsa objektivi i sulmit ishte Erogen Vaso alias Brajoviç.

Hoxha e përshkroi Shkodrën si një qytet që ngjan shumë me Palermon e viteve 1980, ku krimi i organizuar ka depërtuar thellë në jetën politike dhe sociale të qytetit verior.

“Në Shkodër, për të marrë një vend pune apo tender në bashki, sipas burimeve, është e nevojshme të marrësh miratimin nga një nga bandat kriminale që veprojnë në qytet. Sot, fuqia e këtyre organizatave nuk matet nga numri i armëve që zotërojnë, por nga mbështetja politike që kanë arritur të sigurojnë. Shkodra është kthyer në një qytet që ngjan me Palermo-n e viteve 80, ku krimi i organizuar ka kapur thellë jetën politike dhe shoqërore” tha Hoxha për Euronews Albania.

Gazetari shtoi se grupet kriminale në këtë qytet janë jashtëzakonisht të fuqishme ekonomikisht dhe kanë buxhete financiare që rivalizojnë madje edhe me Ministrinë e Brendshme.

Hoxha tha se ngjarjet në Shkodër kanë qenë të paralajmëruara dhe kjo është një seri krimesh që pritet të vazhdojnë.

“Grupet kriminale në Shkodër kanë buxhete financiare që rivalizojnë madje edhe me Ministrinë e Brendshme dhe nuk kanë asnjë problem për armatim, për njerëz apo për teknologji moderne. Ato përdorin edhe drone për të monitoruar njëri-tjetrin dhe për të kontrolluar territorin. Një pjesë e madhe e banorëve janë dorëzuar ndaj situatës dhe janë larguar nga qyteti, duke kërkuar strehë në zona të tjera apo jashtë vendit, për shkak të rrezikut dhe gjendjes së rënduar në qytet” tha ai.

Ai theksoi mungesën e vullnetit për të vepruar dhe evidentoi se ka shumë pengesa që ndalojnë hetimin dhe veprimin efektiv të policisë. Madje, sipas tij, “ka akuza se disa pjesëtarë të policisë janë lidhur me njërën apo tjetrën palë në konflikt”.

Në këtë kontekst, Hoxha tha se “nëse forcat e rendit i kushtojnë rëndësi kryesisht parcelave me kanabis në Dukagjin, nuk është e çuditshme që të shpërthejë dhuna e organizuar në Shkodër.

Ai pyeti sesi do të zgjidhet kjo krizë që ka sjellë kaq shumë viktima, fëmijë të mbetur jetimë dhe familje të përfshira në një spirale të pafund gjakmarrjeje.

“Masakrat e përsëritura tregojnë se mungesa e një reagimi të fuqishëm nga autoritetet vetëm ushqen një cikël të dhunës dhe krimit, ndërsa kundërshtarët kriminalë përdorin këto ngjarje për të treguar se janë aktivë dhe në kontroll”, përfundoi Hoxha.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT