Rama shpjegon se përse kreditë e dhëna në konferencë janë shumë të dobishme

Kryeministri Edi Rama deklaroi se ai nuk e ka aspak problem që të vishet me lecka e të shtrijë dorën për Shqipërinë, ndërsa e quajti Konferencën e Donatorëve në Bruksel një sukses.
“Nuk ia kam shtrirë dorën asnjëherë njeriu, por për Shqipërinë jam gati të vishem edhe me lecka edhe të ulem në dyert e kujdoqoftë që mund të ndihmojë, edhe të shtrij dorën, e nuk kam asnjë problem me këtë.
Shqipëria nuk është një vend i pasur, është shumë më pak i varfër se sa ata që flasin për varfërinë. Por është e sigurtë që Shqipëria sot ka një mundësi fantastike. Lajmi ishte fantastik, nuk ishte thjesht një lajm i mirë. Më e rëndësishmja është që nuk ka askush arsye se përse të gjejë mënyra se si të fusë te njerëzit dyshime apo edhe mendime që e relativizojnë këtë sukses.
Shqipëria dikur ka qenë një vend që refuzonte çdo borxh, Republika Socialiste, por ai vend nuk ekziston më.”, tha Rama në emisionin “Real Story”.
Ai më pas shpjegoi se përse duhet vlerësuar fakti që në konferencë u dhanë edhe kredi.
“Të gjitha konferencat e donatorëve, janë kombinim grantesh dhe kredish. Por këto kredi, nuk janë me të njëjtat kushet e nuk kanë të njëjtat instrumenta të marrjes së kredive. Na jep një bazë shumë të fortë për planin ekonomik. Fokusi ynë do të jetë ekonomia dhe asgjë tjetër dhe kjo sepse mendojmë që jemi në kushtet tani që mund ta shtyjmë shumë fort përpara ekonominë. Kjo shumë e përgjithshme na jep lehtësi në frymëmarrje.”, tha kreu i qeverisë.