Guvernatori Sejko takohet me përfaqësuesit e Bankës Botërore: Shqipëria ecuri pozitive në rritjen dhe stabilitetin ekonomik! Progres dhe me standardet e BE

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, priti sot (9 shtator) në takim një delegacion të Bankës Botërore (BB), të përbërë nga Massimiliano Paolucci, Përfaqësues i Zyrës së BB-së në Shqipëri, Emilia Skrok, Menaxhere për Politikat Fiskale dhe Rritjen Ekonomike për Ballkanin Perëndimor, vendet e BE-së, Moldavinë dhe Ukrainën dhe Angella Montfaucon, Ekonomiste e Lartë për Shqipërinë.
Guvernatori Sejko i përcolli përfaqësuesve të BB-së një falënderim të veçantë për asistencën teknike të ofruar ndër vite nga Banka Botërore për Bankën e Shqipërisë, kryesisht në fushat e mbikëqyrjes bankare, sistemeve të pagesave dhe edukimit financiar.
“Në vijim, Guvernatori Sejko prezantoi panoramën ekonomike dhe financiare të vendit, duke theksuar se ekonomia shqiptare ka vijuar të shfaqë një ecuri pozitive, e mbështetur nga rritja ekonomike, përmirësimi i treguesve të punësimit dhe të ardhurave, si dhe ruajtja e stabilitetit financiar. Ai nënvizoi se inflacioni vijon të jetë pranë objektivit të Bankës së Shqipërisë, ndërsa zhvillimet e kursit të këmbimit dhe kushtet financiare mbeten faktorë të rëndësishëm në vendimmarrjen e politikës monetare”, njoftoi Banka e Shqipërisë.
Paolucci vlerësoi ecurinë pozitive të ekonomisë shqiptare dhe theksoi rëndësinë e ruajtjes së stabilitetit makroekonomik e financiar, si dhe të vijimit të politikave të kujdesshme dhe të qëndrueshme ekonomike në mbështetje të rritjes së qëndrueshme.
Përfaqësuesit e Bankës Botërore vlerësuan gjithashtu progresin e Shqipërisë në përafrimin e kuadrit ligjor dhe rregullator me standardet e Bashkimit Evropian, duke e cilësuar vendin si një shembull pozitiv të progresit në rajon. Ata theksuan rëndësinë e vijimit të këtyre përpjekjeve për forcimin e mëtejshëm të kuadrit institucional dhe përshpejtimin e procesit të integrimit evropian.
Një tjetër çështje e trajtuar gjatë takimit ishte modernizimi i sistemeve të pagesave në Shqipëri, si një hap i rëndësishëm drejt forcimit të integrimit financiar të vendit me tregun evropian.
Në këtë kuadër, Guvernatori Sejko theksoi rëndësinë e anëtarësimit të Shqipërisë në Tregun Unik të Pagesave në Euro (SEPA), i cili ka sjellë përfitime të konsiderueshme për qytetarët, bizneset dhe ekonominë shqiptare, përmes transfertave ndërkufitare më të shpejta, më të sigurta dhe me kosto më të ulët. Ai vlerësoi gjithashtu asistencën e Bankës Botërore në modernizimin dhe harmonizimin e infrastrukturës dhe kuadrit rregullator të pagesave me standardet evropiane.
Guvernatori u ndal veçanërisht në projektin e implementimit të TIPS Clone, sistemit shqiptar të pagesave të shpejta, i cili po zhvillohet si bashkëpunim mes Bankës së Shqipërisë, Bankës së Italisë, Bankës Qendrore Evropiane dhe sistemit bankar shqiptar. Ai bëri me dije se projekti ndodhet në fazën intensive dhe përmbyllëse të implementimit dhe synohet që sistemi të jetë operacional në nëntor 2026.
TIPS Clone do të mundësojë kryerjen e pagesave në kohë reale, 24 orë në ditë, 7 ditë në javë, duke rritur shpejtësinë dhe sigurinë e transaksioneve dhe duke ulur kostot e pagesave për qytetarët dhe bizneset. Implementimi i këtij sistemi përbën një hap të rëndësishëm në modernizimin e infrastrukturës kombëtare të pagesave dhe në afrimin e saj me standardet dhe praktikat e Bashkimit Evropian.
Guvernatori theksoi gjithashtu se përdorimi më i gjerë i pagesave elektronike pritet të gjenerojë kursime të konsiderueshme për sistemin financiar dhe ekonominë shqiptare, ndërsa do të kontribuojë në formalizimin e ekonomisë dhe rritjen e përfshirjes financiare.
Paolucci përgëzoi Bankën e Shqipërisë për punën e realizuar për anëtarësimin e suksesshëm të vendit në SEPA dhe për progresin në modernizimin e sistemeve të pagesave. Ai vlerësoi se, përtej përfitimeve të drejtpërdrejta për qytetarët, bizneset dhe ekonominë në tërësi, këto zhvillime krijojnë parakushtet e nevojshme për përgatitjen e Shqipërisë për integrimin e plotë në Bashkimin Evropian.
Në përfundim të takimit, palët ranë dakord të vijojnë bashkëpunimin dhe përpjekjet për përmirësimin e kuadrit rregullativ dhe institucional të sistemit financiar, si dhe për avancimin e mëtejshëm të infrastrukturës së pagesave në Shqipëri. Paolucci konfirmoi gatishmërinë e Bankës Botërore për të vijuar ofrimin e asistencës teknike në mbështetje të këtyre proceseve.


