Burgjet nën “përgjim”, 148 punonjës dhe 196 të izoluar të proceduar, kontrolle edhe ndaj familjarëve!

Struktura më e re e ngritur pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve ka intensifikuar kontrollet në institucionet e vuajtjes së dënimit, duke vendosur nën ‘lupë’ qelitë, të burgosurit, punonjësit e sistemit dhe familjarët që hyjnë për takime.
Gazetarja Anila Hoxha, ka siguruar të dhëna mbi rezultatet e kontrolleve të kryera gjatë periudhës janar-gusht 2026 nga Agjencia e Mbikëqyrjes së Sistemit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale.
Sipas këtyre të dhënave, gjatë tetë muajve janë proceduar penalisht 287 persona, ndërsa 232 raste janë referuar në Prokurori.
Kontrollet e ushtruara brenda burgjeve dhe në hyrje të tyre kanë çuar në procedimin e 196 të burgosurve. Por verifikimet nuk janë kufizuar vetëm brenda qelive. Në procedim penal kanë përfunduar edhe 148 punonjës të sistemit të burgjeve, si dhe 16 familjarë të të burgosurve.
Të dhënat tregojnë se kontrollet shtrihen në disa hallka të sistemit, nga kontrollet në qelitë e të dënuarve deri te personat që kanë akses në institucionet e vuajtjes së dënimit.
Nga 287 autorët e proceduar penalisht, 264, ose 92%, janë në gjendje të lirë, pa masë sigurimi me izolim. Për 23 persona, ose 8% të totalit, është vendosur masë arresti apo ndalimi me izolim.