Albulena Haxhiu zgjidhet kryetare e Kuvendit të Kosovës me 62 vota, 16 kundër! Vijon kriza për Presidentin

Pas më shumë se një muaji bllokadë politike, Kuvendi i Kosovës ka bërë një hap drejt konstituimit të legjislaturës së 11-të. Deputetët kanë zgjedhur Albulena Haxhiun në postin e kryetares së Kuvendit.
Haxhiu mori 62 vota pro, ndërsa 16 deputetë votuan kundër kandidaturës së saj.
Seanca konstituive është kryesuar nga Avni Dehari, ndërsa në rendin e ditës vijon edhe zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit.
Zgjedhja e Haxhiut vjen pas një periudhe të gjatë ngërçi politik, gjatë së cilës Kuvendi nuk arriti të përfundonte procesin e konstituimit brenda afatit kushtetues. Afati 30-ditor kishte përfunduar më 7 gusht, ndërsa seanca e fundit ishte zhvilluar një ditë më vonë.
Vazhdimi i seancës u thirr pas marrëveshjes së arritur mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës lidhur me çështjen e presidentit.
Sipas marrëveshjes, profesori universitar Bekim Sejdiu është propozuar si kandidat i përbashkët për president, megjithëse marrëveshja është kundërshtuar nga gjashtë deputetë të LDK-së, duke ngritur pikëpyetje mbi sigurimin e votave të nevojshme.
Ndërkohë, Partia Demokratike e Kosovës dhe LDK-ja kanë konfirmuar pjesëmarrjen në seancë, ndërsa Aleanca ka vendosur të mos marrë pjesë, duke argumentuar se procesi nuk po zhvillohet në përputhje me procedurat kushtetuese.
Pas zgjedhjes së kryetares, deputetët pritet të vijojnë me procedurën për zgjedhjen e pesë nënkryetarëve të Kuvendit. Për përmbylljen e procesit të konstituimit duhet të plotësohen edhe këto pozita.
Zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve do t’i hapë rrugë funksionalizimit të plotë të Kuvendit dhe hapave të mëtejshëm për formimin e institucioneve të reja të Kosovës.