“Kemi kredi dhe fëmijë për të ushqyer”, Gjyqtarja reagon pas bllokimit të pagave nga Thesari

Bllokimi i pagave të magjistratëve në Thesar vijon të shkaktojë reagime, ndërsa gjyqtarët kanë ngritur shqetësime për pasojat që kjo situatë mund të ketë jo vetëm në funksionimin e sistemit të drejtësisë, por edhe në jetën e tyre të përditshme.

Gjyqtarja e Gjykatës Administrative, Afërdita Caco, ka reaguar publikisht përmes rrjeteve sociale, duke folur për vështirësitë financiare që mund të krijohen nga vonesa e pagave.

Në reagimin e saj, Caco përmend pagesat e kredive, shpenzimet familjare dhe nevojat e fëmijëve, ndërsa e lidh situatën me parimin e pavarësisë së pushtetit gjyqësor.

“Paga nuk mund të ulet, por mund të bllokohet” Gjyqtarja shprehet me tone kritike ndaj situatës së krijuar, duke theksuar se, pavarësisht garancive ligjore për pagën e gjyqtarëve, bllokimi i saj sjell pasoja konkrete për familjet.

“Paga e gjyqtarit nuk mund të ulet, po ama mund të bllokohet fare, kështu që mos paguash kredi, ushqime, veshmbathje për fëmijët meqë fillon shkolla”, shkruan Caco.

Ajo vijon reagimin duke e lidhur çështjen e pagave me mënyrën se si duhet të funksionojnë institucionet në një shtet të së drejtës.

“Se shteti i së drejtës për disa do të thotë legjislativi, ekzekutivi dhe drejtësia duhet të jenë në duart e një personi”, shprehet gjyqtarja.

Kritika për nismat ligjore Caco ka kritikuar gjithashtu nismat e reja ligjore që, sipas saj, bien ndesh me parimet kushtetuese.

“Miratimi i një tjetër ligji antikushtetues veçse sa zgjat kalvarin e padrejtësisë, po nuk e bën ligjin mbi Kushtetutën”, shkruan ajo.

Gjyqtarja shton se askush nuk duhet ta vendosë veten apo institucionin mbi Kushtetutën.

“Kushdo që konsideron se mund të qëndrojë mbi Kushtetutën, nuk reflekton mjaftueshëm”, vijon reagimi.

“Do të vazhdojmë të kryejmë detyrën” Pavarësisht situatës së krijuar, Caco thekson se magjistratët do të vijojnë të ushtrojnë detyrën e tyre dhe të respektojnë Kushtetutën dhe ligjin.

“Do vazhdojmë të kryejmë detyrën me përgjegjësinë maksimale edhe në kushte të vështira e të paprecedentë, duke iu bindur me besnikëri Kushtetutës e pastaj ligjeve”, përfundon gjyqtarja.

Reagimi i saj vjen në një kohë kur çështja e pagave të gjyqtarëve është kthyer në një përplasje institucionale, me magjistratët që kërkojnë zhbllokimin e menjëhershëm të pagave dhe zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT