Himara në luftë me zjarret, prefektja Alushi dhe ministri Lamallari në terren: Janë djegur 6 banesa dhe pemëtari! Vlerësim dëmeve pas shuarjes së flakëve

Himara po përballet me orë apokaliptike nga zjarret që prej mbrëmjes së djeshme, kur lagjja 1 Maji u përfshi nga flakët dhe ka dëme të konsiderueshme.
Deri më tani raportohet për të paktën 6 banesa të shkrumbuara, ndërsa ka nisur operacioni për shuarjen e flakëve edhe nga ajri.
Prefektja e Qarkut Vlorë, Evis Alushi, ka bërë me dije se deri më tani janë evidentuar gjashtë banesa të dëmtuara nga zjarri, ndërsa janë djegur edhe pemëtari.
Vlerësimi i plotë i dëmeve pritet të bëhet pas shuarjes së plotë të flakëve.
Sipas saj, nuk ka pasur bagëti të djegura. Ndërkohë, pak çaste më parë në Himarë ka mbërritur dhe ministri i Brendshëm Besfort Lamallari.
Banorët tregojnë se kanë përjetuar një natë të vështirë. Për shkak të përhapjes së flakëve, disa persona dhe turistë janë detyruar të largohen nga banesat dhe strukturat ku ndodheshin, duke u zhvendosur drejt zonave më të sigurta. Fatmirësisht, nga informacionet paraprake nuk raportohet për persona të lënduar.
Operatorët turistikë dhe pronarët e bizneseve në zonë shprehen se zjarri i ka gjetur të papërgatitur, ndërsa flakët janë përhapur me shpejtësi për shkak të erës së fortë.
Situata ka vijuar të mbetet problematike deri në orët e para të mëngjesit të së shtunës. Rreth orës 02:00, një tjetër banesë është përfshirë nga flakët, duke shtuar panikun mes familjeve që banonin në zonë.
Zjarri i madh ka shkaktuar dëme të konsiderueshme dhe një situatë të vështirë për banorët e Himarës, ndërsa forcat zjarrfikëse dhe strukturat e emergjencave kanë vijuar punën për izolimin dhe shuarjen e flakëve.
Ndërkohë, mëngjesin e sotëm ka nisur edhe ndërhyrja nga ajri, me helikopterë që po hedhin ujë mbi vatrat e zjarrit.
Në terren vijojnë të jenë të angazhuara Forcat e Armatosura, së bashku me forca të shumta zjarrfikëse të mbërritura nga qytete të ndryshme të vendit, në përpjekje për të izoluar dhe shuar vatrat që vijojnë të jenë aktive në territorin e Bashkisë Himarë.
Situata mbetet e vështirë, ndërsa forcat në terren po punojnë për të frenuar përhapjen e flakëve dhe për të mbrojtur banesat dhe zonat e banuara.