Universitetet, Viti Akademik do nisë më 5 tetor, ministrja Kumbaro: Investime për të shtuar hapësirat e modernizuara për student e pedagogë!

Viti i ri akademik universitar 2026–2027 do nisë zyrtarisht më 5 tetor, duke rikthyer mijëra studentë në auditorë dhe hapësirat universitare në të gjithë vendin.
Këtë vit të ri akademik, disa universitete do të mirëpresin studentët edhe në ambiente të reja dhe të modernizuara, si pjesë e investimeve që synojnë përmirësimin e infrastrukturës universitare dhe krijimin e kushteve më të mira për zhvillimin e procesit mësimor dhe kërkimin shkencor.
Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, ka bërë të ditur se investimet në institucionet e arsimit të lartë po vijojnë me fokus përmirësimin e mjediseve ku studentët zhvillojnë procesin mësimor, ndërsa pedagogët dhe kërkuesit shkencorë mund të zhvillojnë aktivitetin e tyre akademik.
Përmes një reagimi në rrjetin e saj social, Kumbaro u shpreh se viti i ri akademik do të sjellë jo vetëm rikthimin e studentëve në jetën universitare, por edhe ambiente më të përshtatshme për studim, punë dhe kërkim.
“Investimet e Ministrisë së Arsimit po vijojnë të përmirësojnë mjediset universitare, për t’u dhënë studentëve dhe pedagogëve më shumë hapësira për të studiuar, punuar dhe zhvilluar idetë e tyre edhe në kuadër të ndërkombëtarizimit”, shkruan ministrja.