Trump njofton krijimin e Akademisë Kombëtare të Hapësirës në SHBA

Presidenti amerikan Donald Trump ka njoftuar krijimin e një Akademie Kombëtare të Hapësirës në Shtetet e Bashkuara. Trump tha se do të nënshkruajë një urdhër ekzekutiv për të nisur procesin e ngritjes së institucionit të ri, gjatë një ceremonie në Houston të Teksasit.

Akademia pritet të plotësojë Forcën Hapësinore të SHBA-së dhe të përgatisë profesionistë që synojnë një karrierë në fushën e hapësirës.

Presidenti amerikan deklaroi se projekti është një hap i rëndësishëm për ambiciet e reja të Uashingtonit në këtë sektor, ndërsa vendndodhja e akademisë pritet të përcaktohet së shpejti.

Njoftimi u bë gjatë ceremonisë ku Trump nderoi ekuipazhin e misionit Artemis II të NASA-s, që fluturoi pranë Hënës në muajin prill.

Presidenti amerikan foli edhe për lëshimin e pritshëm të teleskopit hapësinor Roman, duke e cilësuar atë si një hap të madh për kërkimet shkencore dhe zbulimin e sekreteve të universit.

Hapësira po merr gjithnjë e më shumë rëndësi strategjike për fuqitë e mëdha, si në aspektin teknologjik ashtu edhe në atë ushtarak.

Shtetet e Bashkuara ndërkohë vazhdojnë garën me Kinën për të dërguar astronautë në Hënë para vitit 2030, ndërsa Trump ka premtuar një epokë të re për eksplorimin e hapësirës, me misione drejt Hënës dhe Marsit.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT