Zjarret në Vranisht, banori: Më janë djegur mbi 50 koshere, kërkoj dëmshpërblim

Një zjarr i fuqishëm ka përfshirë që prej mesditës fshatin Vranisht, në bashkinë Himarë, duke krijuar një situatë të vështirë për banorët dhe strukturat e emergjencave.
Flakët janë shfaqur rreth orës 12:00 dhe, të favorizuara nga erërat e forta dhe temperaturat e larta, janë përhapur me shpejtësi në një sipërfaqe të konsiderueshme.
Zjarri ka përfshirë disa hektarë me pisha dhe sipërfaqe pyjore, ndërsa flakët kanë përparuar edhe në zona me shkurre, barishte dhe pemëtari.
Situata ka shkaktuar edhe dëme materiale. Nga zjarri është djegur një shtëpi e pabanuar, disa hektarë me ullinj, si dhe të paktën 50 koshere bletësh.
Banori i zonës thotë se janë djegur 50 koshere, ndërsa kërkon dëmshpërblim.
“Zjarri erdhi nga Tërbaçi. Shkoj me vrap unë, ishte dhe makina e zjarrfikëses aty. Zjarri erdhi mbrapa. Ne kemi dëme. Ju e shikoni vetë. Është një shtëpi, të paktën ka shpëtuar. Kosheret janë mbi 50 koshere të djegura. Është dëm maksimal. Materiale s’kam pësuar, vetëm djegie. Dëmshpërblim im duhet patjetër”, tha banori.
Ndërkohë, vijojnë ndërhyrjet për vënien nën kontroll të flakëve, ndërsa përmasat e plota të dëmeve pritet të përcaktohen pas përfundimit të operacionit të shuarjes së zjarrit.