Problemi në sistemet e trafikut ajror, reagon TIA: Pasagjerët e prekur nga vonesat po asistohen

Aeroporti i Rinasit ka reaguar përmes një njoftimi zyrtar lidhur me problemin e shfaqur në sistemet e trafikut ajror në vendin tonë.
TIA ka bërë të ditur se është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet përkatëse dhe kompanitë ajrore, ndërsa po menaxhon situatën e krijuar për pasagjerët e prekur nga vonesat dhe ndryshimet në oraret e fluturimeve.
Pasagjerëve u këshillohet të kontrollojnë rregullisht njoftimet dhe komunikimet e kompanive ajrore përkatëse për informacionet më të fundit mbi statusin e fluturimeve të tyre.
Për shkak të një problemi teknik të përkohshëm në sistemin e monitorimit të trafikut ajror nga Albcontrol, fluturimet në hapësirën ajrore shqiptare u pezulluan për pak minuta si masë sigurie.
Problematika u adresua menjëherë dhe aktualisht po bëhen të gjitha përpjekjet për rikthimin sa më të shpejtë të operacioneve në normalitet.
Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës është në kontakt të vazhdueshëm me të gjitha autoritetet përkatëse dhe kompanitë ajrore, ndërsa po menaxhon pasagjerët e prekur nga vonesat dhe ndryshimet në oraret e fluturimeve.
TIA ka angazhuar numrin maksimal të stafit në dispozicion për të mbështetur operacionet në terminal dhe për të garantuar menaxhimin sa më të shpejtë të situatës. Ekipet tona janë në gatishmëri të plotë dhe po bëjnë maksimumin për të përshpejtuar rikthimin e operacioneve në normalitet.
Pasagjerët këshillohen të kontrollojnë rregullisht njoftimet dhe komunikimet e kompanive të tyre ajrore për informacionin më të fundit mbi statusin e fluturimit.
Siguria e pasagjerëve mbetet prioriteti kryesor“, njofton Aeroporti.
Kujtojmë se problemi u shfaq fillimisht rreth orës 17:30 pasditen e sotme.
Rreth orës 18:00, 90% e sistemeve janë rikthyer në funksionimin normal, ndërsa ekipet vijojnë punën për rikuperimin e pjesës së mbetur.