Transporti sërish thirrje institucioneve: Të zgjatet paketa antikrizë, ose do të reduktohet flota

Brenda dy javësh operatorët e Transportit Publik kanë ngritur sërish shqetësimin për vështirësitë financiare të shkaktuara nga kostot e larta si pasojë e çmimit të karburantit.
Ata i janë drejtuar ministrive të linjës dhe Bashkisë së Tiranës duke kërkuar zbatimin e paketës anti- krizë edhe për muajt në vijim.
“Operatorët janë shprehur vazhdimisht me kërkesat e tyre, ku kërkohet vijueshmëria e paketës antikrizë për të kompensuar operatorët, në mënyrë që të mos gjenden përpara një kolapsi financiar”, tha përfaqësuesi i transportit publik, Kostandin Foni.
Foni thekson se në mungesë të një përgjigjie pozitive nga institucionet, do të detyrohen të reduktojnë numrin e mjeteve në qarkullim.
“Mosreagimi dhe mospërgjigjja për vijueshmërinë e kompensimit dhe çmimit të karburantit, operatorët do të ndodhen para një fakti ku ata do të operojnë me një flotë të reduktuar që prej fillimit të muajit shtator, pasi pamundësia financiare i bën që të mos operojnë me një flotë të plotë në këtë shërbim”, tha ai.
Vendimi i miratuar më herët nga qeveria parashikon kompensim të operatorëve të transportit publik në masën 50 lekë për litër karburant, për sasinë e karburantit të konsumuar gjatë muajve mars, prill dhe maj 2026.
Nga operatorët e transportit publik kërkohet që kompensimi të jepet edhe për 4 muaj të tjerë, teksa çmimi i naftës prej javësh në vend ka arritur mbi 210 lekë për litër.