SHBA, disa të vdekur, mes tyre dhe fëmijë, pas të shtënave me armë dhe zjarrit në Montana

Disa persona, përfshirë fëmijë, kanë humbur jetën pasi një person i armatosur hapi zjarr në një banesë në Billings, Montana në SHBA, e cila më pas u përfshi nga zjarri, thanë autoritetet të hënën.
Policia e ka cilësuar ngjarjen, e cila ndodhi të dielën në mbrëmje pranë zonës West End të qytetit, si një konflikt familjar. Personi i armatosur ka vdekur pasi ka qëlluar veten me armë, raportoi televizioni KULR, filial i NBC në Billings.
Sherifi i përkohshëm i Yellowstone County, Kent O’Donnell, tha në një konferencë për mediat të hënën se në banesë kishin humbur jetën “disa të rritur dhe disa të mitur”.
Ai tha se viktimat janë identifikuar, por për momentin nuk do të bëhen publike numri i saktë i të vrarëve, emrat apo moshat e tyre.
“Për shkak të zjarrit dhe, natyrisht, ujit të përdorur për shuarjen e tij, hetimi në vendngjarje dhe mbledhja e provave do të ngadalësohen”, tha O’Donnell, duke kërkuar durim derisa hetuesit të përfundojnë punën.
Motivi i mundshëm i ngjarjes ende nuk dihet. Policia e Billings dhe deputetët e sherifit të qarkut u dërguan në banesën në bllokun 300 të White Star Circle rreth orës 18:01 të së dielës, pas një telefonate për të shtënat. O’Donnell tha se gjatë telefonatës në numrin 911 mund të dëgjoheshin të shtëna armësh.