Zbardhet vjedhja e 2.5 milionë lekëve dhe bizhuterive në Tiranë, arrestohen 3 persona

Policia e Tiranës ka zbardhur vjedhjen e ndodhur 10 ditë më parë në një banesë në Sharrë, ku u morën 2.5 milionë lekë dhe bizhuteri me vlerë rreth 500 mijë lekë.
Në operacionin e koduar “Last Scheme”, janë identifikuar katër persona si autorë të dyshuar, tre prej të cilëve janë arrestuar, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim.
Gjatë kontrolleve në një servis automjetesh në Astir, policia sekuestroi një armë zjarri, 3 krehra me 82 fishekë, 2 palë targa, 2 automjete dhe një motomjet. Ndërsa në banesën e njërit prej të arrestuarve u gjetën edhe 55 mijë lekë dhe një automjet.
Hetimet vijojnë për kapjen e personit të shpallur në kërkim dhe dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal.
Tiranë/Finalizohet operacioni i koduar “Last Scheme”.
Zbardhet vjedhja në një banesë në Sharrë, ku para 10 ditësh u morën 2 500 000 lekë dhe bizhuteri me vlerë rreth 500 000 lekë.
Identifikohen 4 shtetasit, të cilët të organizuar si grup, dyshohet se kryen krimin. Kapen dhe vihen në pranga 3 prej tyre.
2 prej autorëve fshihnin në servisin për mjete, që kishin në bashkëpronësi në Astir, 1 armë zjarri dhe 3 krehra me 82 fishekë.
Sekuestrohen arma e zjarrit, municioni dhe 2 palë targa, si dhe 4 mjete dhe 55 000 lekë, me burime të dyshuara kriminale.
Si rezultat i hetimit intensiv të kryer nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në koordinim me Prokurorinë, me qëllim zbardhjen e autorësisë dhe rrethanave të vjedhjes në banesën e shtetasit D. S., më datë 14.08.2026, u finalizua operacioni i koduar “Last Scheme”, në kuadër të të cilit u vunë në pranga 3 nga autorët e dyshuar të rastit, konkretisht shtetasit L. S., 26 vjeç, K. T., 23 vjeç dhe M. H., 37 vjeç, si dhe u shpall në kërkim autori tjetër i dyshuar, shtetasi A. B.
Në vijim të veprimeve operacionale u krye kontroll në servisin për mjete, në bashkëpronësi të shtetasve A. B. dhe M. H., ku u gjetën 1 armë zjarri, 3 krehra, 82 fishekë luftarak, 2 automjete, 1 motomjet dhe 2 palë targa automjetesh.
Më tej u krye kontroll në banesën e shtetasit K. T., nga ku u sekuestruan 1 automjet dhe 55 000 lekë.
Vijon puna për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim, si dhe vijon hetimi për dokumentimin e plotë të këtij rasti kriminal.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.