Grabiti paratë nga kasa e marketit në Durrës, kapet pas disa orësh ndjekjeje 26-vjeçari me precedentë penalë!

Nuk ka zgjatur shumë arratisja e të riut që dyshohet për grabitjen me dhunë të një marketi dje në Durrës.

Një 26-vjeçar është arrestuar nga Policia sot (25 gusht), pasi ka vjedhur një shumë parash nga kasa e një marketi në lagjen nr. 17 dhe u denoncua nga punonjësja që shtyu dhe kërcënoi gjatë grabitjes.

Ngjarja ndodhi ditën e djeshme rreth orës 15:00, teksa autori është identifikuar nga shërbimet e Policisë dhe vetëm disa orë pas ngjarjes, është lokalizuar dhe kapur nga efektivët e Forcës së Posaçme “Shqiponja”.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës arrestuan shtetasin F. S., 26 vjeç, banues në Durrës, i cili, sipas hetimeve, dyshohet se ka marrë paratë nga kasa e marketit. I riu rezulton gjithashtu me precedent të mëparshëm penal për veprën e vjedhjes”, tha policia.

Pas arrestimit, materialet procedurale lidhur me ngjarjen i janë referuar Prokurorisë së Durrësit, për vijimin e veprimeve të mëtejshme hetimore dhe procedurale.

 

Back to top button
LAJMET E FUNDIT