Furtunë gjobash në jug të vendit: Dronë, radarë dhe makina inteligjente, ndëshkohen 1383 shoferë

Policia Rrugore e Gjirokastrës ka intensifikuar kontrollet në të gjitha akset e qarkut, duke përdorur dronë, radarë dhe makina inteligjente për evidentimin e shkeljeve dhe parandalimin e aksidenteve.

Kontrollet janë shtuar edhe për shkak të fluksit të lartë të automjeteve gjatë sezonit veror, ndërsa në fokus janë drejtuesit që lëvizin me shpejtësi mbi normat e lejuara, kryejnë parakalime të gabuara, drejtojnë automjetin nën efektin e alkoolit apo pa leje drejtimi.

Sipas të dhënave të Policisë, vetëm gjatë periudhës 17-23 gusht 2026 janë proceduar penalisht tre drejtues mjetesh për “Drejtim të mjeteve në mënyrë të parregullt” dhe “Shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor”.

Në të njëjtën periudhë janë pezulluar 24 leje drejtimi, ndërsa numri i përgjithshëm i masave administrative ka arritur në 1383.

Pjesën më të madhe të shkeljeve e përbëjnë shpejtësia dhe parkimet e gabuara. Konkretisht, janë vendosur 449 masa për tejkalim të normave të shpejtësisë dhe 455 për ndalim ose qëndrim të gabuar.

Policia ka ndëshkuar gjithashtu 288 drejtues për parakalime të gabuara, 14 persona për mosvendosjen e kaskës mbrojtëse, dy drejtues për drejtim nën efektin e alkoolit dhe katër për mosvendosjen e rripit të sigurimit.

171 masa të tjera janë vendosur për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor.

Policia Rrugore njofton se monitorimi do të vijojë në rrugët urbane, interurbane dhe rurale të qarkut, duke përdorur mjetet teknologjike në dispozicion.

Autoritetet u bëjnë apel drejtuesve të automjeteve të respektojnë rregullat e qarkullimit dhe të shmangin sjelljet që rrezikojnë jetën e tyre dhe të përdoruesve të tjerë të rrugës.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT