“Përfundojeni këtë luftë të pakuptimtë me Iranin”- Zv/kancelari gjerman thirrje presidentit Trump: Ju jeni përgjegjës për nisjen, pasojat dhe te nafta

Zëvendëskancelari dhe Ministri i Financave gjermane, Lars Klingbeil, i bëri thirrje sot (28 gusht) Presidentit të SHBA-ve, Donald Trump, që ta përfundojë luftën “e papërgjegjshme” me Iranin, përpara udhëtimit të tij në Amerikë javën e ardhshme, për të marrë pjesë në samitin e G20.
“Ky është mesazhi më i rëndësishëm, edhe për SHBA-në: përfundoni këtë luftë”, tha Klingbeil. Ai madje fajësoi Trump për çmimet e larta të karburantit.
“Donald Trump është përgjegjës për luftën e papërgjegjshme që filloi në Iran. Këto janë pasojat që shohim në stacionet e benzinës”, tha ai.
Të hënën dhe të martën, ministrat e financave nga vendet anëtare të G20 do të takohen në Asheville, Karolina e Veriut, përpara samitit në Miami në dhjetor.
Lars Klingbeil përsëriti gjithashtu propozimin e tij për një taksë mbi fitimet e tepërta të kompanive të naftës në nivel evropian, duke nënvizuar se kompanitë po grumbullojnë për shkak të situatës gjeopolitike.
“Ato po mbushin xhepat e tyre! Kjo duhet të ndalet”, tha ai.
Çështja është në axhendën e takimit të ministrave të financave të BE-së, i cili do të mbahet më 19 shtator në Dublin.