Vetëm 9 studentë shqiptarë në Shkollën e Policisë në Shkup, opozita shqiptare akuzon qeverinë për diskriminim

Vetëm 9 shqiptarë rezultojnë të jenë pranuar nga 310 nxënësit e përzgjedhur për të ndjekur Shkollën e Mesme të Policisë “7 Maji” në Shkup, çka ka shkaktuar reagime nga partitë shqiptare në opozitë, të cilat e kanë cilësuar shqetësuese situatën lidhur me përfaqësimin e shqiptarëve në institucionet e sigurisë në Maqedoninë e Veriut

Ish-ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, e lidhi situatën me përfaqësimin politik të shqiptarëve në pushtet dhe fajësoi partinë VLEN.

“Me VLEN-in zbritëm nga 29% në 2.9% shqiptarë!”, tha ai

Reagim ka ardhur edhe nga Aleanca për Shqiptarët. Partia thekson se shifra e nxënësve shqiptarë përbën më pak se 3 për qind të totalit.

“Kjo do të thotë se përbërja e sotme e kësaj shkolle do të reflektohet drejtpërdrejt në përbërjen e policisë në vitet e ardhshme”, thuhet në reagimin e partisë.

ASH pretendon gjithashtu se mësimi në shkollë zhvillohet vetëm në gjuhën maqedonase dhe ka kërkuar transparencë të plotë për konkursin.

Partia kërkon që të bëhet e ditur se sa shqiptarë kanë aplikuar, si janë vlerësuar kandidatët dhe cilat janë arsyet që kanë çuar në një përfaqësim kaq të ulët të shqiptarëve.

Edhe Bashkimi Demokratik për Integrim ka kërkuar anulimin e konkursit dhe përsëritjen e tij mbi kritere që, sipas partisë, garantojnë përfaqësim real dhe adekuat të të gjitha komuniteteve.

“Ky konkurs nuk është rast i izoluar. Ai është vetëm një tjetër dëshmi e një politike që po i përjashton shqiptarët nga institucionet e shtetit, veçanërisht nga organet e rendit dhe sigurisë”, ka deklaruar BDI.

Sipas BDI-së, përfaqësimi i një komuniteti me një përqindje kaq të ulët në polici nuk mund të konsiderohet thjesht si rezultat i një konkursi, por ngre pikëpyetje për mekanizmat dhe vullnetin për të garantuar përfaqësim të drejtë.

Liridon Disha nga BDI pati kritika edhe kryetarin e Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, duke e akuzuar se flet për përfaqësimin e Tetovës në rang kombëtar, ndërsa sipas tij, situata në Shkollën e Policisë tregon të kundërtën.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT