Nga karburantet te faturat e shtëpisë, çfarë e nxiti rritjen e inflacionit gjatë muajit korrik?

Ritmi i rritjes së çmimeve të konsumit në Shqipëri ka pësuar një përshpejtim të ndjeshëm gjatë muajit korrik. Të dhënat më të fundit të publikuara nga Instituti i Statistikave (INSTAT) tregojnë se norma e inflacionit e matur me Indeksin e Çmimeve të Konsumit (IÇK) arriti në 3,4 për qind në muajin Korrik 2026.
Ky nivel shënon një rritje të dukshme krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ku në korrik 2025 inflacioni fiksohej në 2,5 për qind. Në krahasim me muajin paraardhës (qershor 2026), çmimet e konsumit u rritën me 0,2 për qind.
Ushqimet dhe strehimi, “pesha” kryesore në xhepat e qytetarëve
Sipas analizës së INSTAT, rritja vjetore e çmimeve gjatë muajit korrik është ndikuar në mënyrë përcaktuese nga dy grupe kryesore që zënë edhe pjesën më të madhe të shpenzimeve familjare:
“Ushqime dhe pije joalkoolike”, i cili ka kontribuar me +1,18 pikë përqindje në nivelin e përgjithshëm të inflacionit.
“Qira, ujë, energji elektrike, gaz dhe karburante të tjera”, që ndikoi me +0,83 pikë përqindje.
Gjithashtu, një ndikim të ndjeshëm në rritjen e inflacionit dhanë edhe kostot e Transportit (+0,52 pikë përqindje), si dhe pajisjet e mirëmbajtjes së shtëpisë (+0,23 pikë përqindje).
Transporti shënon rritjen më të madhe vjetore, ulen veshjet
Për sa i përket ecurisë vjetore sipas grupeve (korrik 2026 përkundrejt korrikut 2025), rritja më e lartë e çmimeve u regjistrua në grupin “Transporti” me 8,0%, i pasuar nga “Argëtim, sport dhe kulturë” me 6,0%, “Sigurime dhe shërbime financiare” me 4,5%, si dhe “Qira, ujë, energji elektrike, gaz e karburante” me 4,1%. Çmimet e ushqimeve u rritën me 3,5% me bazë vjetore.
Në krahun tjetër, prirje rënëse të çmimeve shfaqën vetëm dy grupe: “Veshje dhe këpucë”, çmimet e të cilave u ulën me 1,8%, dhe “Informacioni dhe komunikimi”, me një ulje prej 0,9%.
Ecuria mujore, transporti kërcen me 4,7% në korrik
Për sa i përket ndryshimeve në krahasim me muajin qershor 2026, shtrenjtimi më i fortë i çmimeve brenda një muaji u vërejt sërish te Transporti, me një rritje prej 4,7%. Ky kapërcim u ndoq nga grupi i shpenzimeve për banesën dhe energjinë (+0,6%) si dhe argëtimi e kultura (+0,4%).
Ndërkohë, gjatë muajit korrik u vu re një lirim i lehtë i çmimeve në disa sektorë: komunikimi ra me 1,5%, veshjet me 1,3%, ndërsa ushqimet dhe pijet joalkoolike shënuan një rënie lehtësisht sezonale prej 0,5% krahasuar me qershorin.
Sipas INSTAT, përllogaritjet e reja të IÇK-së mbështeten tashmë në klasifikimin e azhornuar evropian ECOICOP 2018 (me vit reference 2025=100) dhe bazohen në një shportë prej 411 produktesh e shërbimesh, duke u harmonizuar plotësisht me metodologjitë ndërkombëtare.