Kundërshtimet për propozimin e PS për Territorialen, Haxhimali: Të vonuara! Kryetarët e bashkive duhej të flisnin që në fillim

Propozimi i mazhorancës socialiste për reformën territoriale është pasuar me protesta të qytetarëve në disa bashki të vendit, të cilat parashikohen të shkrihen. Propozimi i mazhorancës ul numrin e bashkive nga 61 në 45, ndërsa bashkitë që preken nga kjo reformë janë përfshirë në protesta dhe reagime. Këto reagime, megjithatë, munguan në kohën kur komisioni i reformës territoriale zhvilloi konsultimet publike në të gjitha bashkitë e Shqipërisë.
Sipas ekspertit të qeverisjes vendore, Agron Haxhimali, këto kundërshtime duken të vonuara. Në një intervistë për TemA, ai thotë se gjatë fazës së konsultimeve, kur drejtuesit e komisionit parlamentar udhëtuan nëpër bashki për të prezantuar projektin, pothuajse askush nuk ngriti shqetësime serioze. As kryetarët e bashkive, por në fakt as qytetarët, me përjashtime të vogla e të papërfillshme, nuk e kundërshtuan publikisht propozimin. Për këtë arsye, Haxhimali thotë se reagimet e ditëve të fundit duken të vonuara dhe krijojnë përshtypjen se drejtuesit vendorë u sollën më shumë si vartës të kryeministrit sesa si përfaqësues të interesave të komuniteteve që drejtojnë.
Haxhimali ngre pikëpyetje edhe mbi argumentin kryesor të mazhorancës, sipas të cilit reforma e re do të rrisë efikasitetin dhe do të ulë kostot e administrimit. Ai kujton se të njëjtat objektiva u shpallën edhe me reformën territoriale të vitit 2015, por rezultatet, sipas tij, nuk i mbështesin këto pretendime.
Sipas të dhënave që sjell eksperti, para zbatimit të reformës së vitit 2015, pushteti vendor kishte rreth 21 mijë e 500 punonjës. Në fund të vitit 2025, numri i tyre kishte arritur në rreth 45 mijë e 500. Pra, edhe pse Shqipëria ka rreth 400 mijë banorë më pak se një dekadë më parë, administrata vendore është më shumë se dyfishuar. Për Haxhimalin, ky është një tregues se reforma nuk solli rritjen e efikasitetit që ishte premtuar.
Edhe në aspektin financiar, ai vlerëson se lidhja mes reformës dhe kursimit të shpenzimeve nuk provohet. Në vitin 2015, shpenzimet për pushtetin vendor përbënin rreth 2.8 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndërsa në fund të vitit 2025 kjo peshë kishte arritur në 3.5 për qind të PBB-së.
Ai kujton se një nga parimet mbi të cilat u mbështet reforma ishte ekonomia e shkallës, pra ideja se bashki më të mëdha do të administronin më mirë burimet dhe do të ofronin shërbime me kosto më të ulët. Megjithatë, sipas tij, kjo nuk ndodhi me reformën e vitit 2015. Ndërsa për projektin e ri ai shmang paragjykimin, por shprehet se rezultatet mund të jenë të ngjashme me ato të reformës së mëparshme.
Debati për reformën territoriale mbetet i hapur, por sipas Haxhimalit, ai duhej të ishte zhvilluar në fazën e konsultimeve publike. Tashmë, kur procesi po i afrohet vendimmarrjes, reagimet e vonuara rrezikojnë të kenë më shumë ndikim për intersa politike sesa ndikim real mbi përmbajtjen e reformës.