Kriza në Kosovë/ Haxhiu pas takimit me 11 liderët: Pa marrëveshje për presidentin, rrezikohen zgjedhjet e parakohshme

Ka përfunduar takimi i liderëve të disa partive politike me ushtruesen e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu.
Kjo e fundit ka bërë me dije se qëllimi i takimit me 11 liderët e partive politike ishte gjetja e një rruge të përbashkët me qëllim shmangien e ngërçit institucional dhe zgjedhjeve të parakohshme.
“Ishin 11 liderë të partive politike që përfaqësohen në Kuvend. Qëllimi i takimit ishte të shohim nëse kemi ndonjë rrugë për të ecur bashkë, për ta shmangur ngërçin institucional dhe zgjedhjet e parakohshme. Ju e dini që para nesh janë dy qëndrime politike. Kemi qëndrimin e Vetëvendosjes dhe partnerëve që, nëse hyjnë në konstituimin e Kuvendit pa marrëveshje për presidentin, mund të përsëritet kriza e vitit të kaluar dhe e këtij viti”, deklaroi Haxhiu.
Kjo e fundit tha se partitë politike duhet të flasin për çështjet që janë të domosdoshme për funksionimin e shtetit, duke e cilësuar pozitën e presidentit si një prej çështjeve kryesore.
“Çështja që duhet ta trajtojmë me seriozitet është çështja e presidentit. Kryeministri Kurti e theksoi se i ka votat për kryetarin e Kuvendit dhe Qeverinë dhe çështja është te marrëveshja për presidentin”, tha Haxhiu.
Sipas saj, tani kemi qëndrimin e PDK-së, LDK-së dhe Aleancës që Kuvendi të konstituohet dhe pastaj të diskutohet.
“Ne nuk kemi nevojë të hamendësojmë se çfarë sjell mungesa e marrëveshjes. Të gjitha subjektet politike që ishin në takim thanë se duhet të kontribuojnë maksimalisht për çështjen e presidentit dhe të shmangen zgjedhjet“, ka shtuar ajo.