Vrajsa në Roskovec, flet vëllai i viktimës: Policia erdhi pas një ore. Autori ka hyrë e ka dalë tre herë nga burgu

Një ngjarje tejet e rëndë ka ndodhur mëngjesin e kësaj të premteje në fshatin Vidhisht të Roskovecit.
Një 35-vjeçar ka vrarë me armë gjahu ish-vjehrrin, ka plagosur ish-vjehrrën dhe më pas ka rrëmbyer ish të fejuarën e tij. Policia ka ngritur pika kontrolli dhe është vënë në ndjekje të autorit të krimit.
“Rreth orës 06:00, në fshatin Vidhisht, Roskovec, dyshohet se shtetasi R. B., 35 vjeç, ka vrarë me armë gjahu ish-vjehrrin e tij, shtetasin K. P., 58 vjeç, si dhe ka plagosur ish-vjehrrën e tij, shtetasen B. P., rreth 55 vjeçe, e cila ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve. Nga veprimet e para hetimore dyshohet se, pas ngjarjes, autori është larguar nga vendi i ngjarjes me automjet, së bashku me ish-partneren e tij, shtetasen R. P., duke marrë me vete edhe armën e gjahut”, thuhet në njoftimin e bluve.
Vëllai i viktimës ka dhënë një prononcim për mediet, ku tregon se si 35-vjeçari kërcënoi se do t’i vriste të gjithë dhe se ngjarja ishte e paralajmëruar, madje disa herë…
Vëllai i viktimës: Bërtisnin brenda, nuk shkuam të shikonim brenda se nuk kishim armë. Ai thoshte hajdeni se do t’ju vras të gjithëve! Merr policinë…Policia ka ardhur pas një ore! E ka marrë çuni, ta tregon ai.
Gazetarja: Pra ju e patë autorin, ju kërcënonte?
Vëllai i viktimës: E kishte lënë makinën nga pjesa mbrapa, e mori dhe çupën, iku!
Gazetarja: Vajza qëndronte këtu?
Vëllai i viktimës: Po, këtu qëndronte… Kishin probleme, tre herë është arrestuar e tre herë ka dalë (referuar autorit). Ai shkoi në Tiranë para disa muajsh me armë, e futën, pas një muaji e nxorrën prapë. Këtu ishte në arrest shtëpie se gjithmonë kërcënonte. I thoshte vajzës do vish këtu te unë, ti pa mua nuk bën…Do ju vras të gjithëve! Ka qenë e parashikuar kjo, shantazhi që ka bërë ai…Po bën kohë! Vajta brenda,vëllai shtrirë atje, kunata shtrirë…
Një tjetër i afërm i familjes ka rrëfyer momentet e frikës, duke thënë se u zgjua nga gjumi pas dy krismave.
“Ngjarja ishte paralajmëruar disa herë. Policia e arrestonte, por më pas prokuroria e lironte. Ja ku jemi sot… Nusja e xhaxhait ndodhet në spital dhe ende nuk e dimë gjendjen e saj. Ai ka marrë me vete edhe vajzën, e cila është vetëm 23 vjeçe. E ka kërcënuar edhe më parë, madje edhe në Tiranë, dhe ka përdorur armë ndaj saj”, tregoi ai.
/tvklan.al