Pritja e gjatë drejt fundit! Më 16 shtator zbulohet fati i Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë njoftuan këtë të mërkurë, 1 korrik, se aktgjykimi për katër ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, do të shpallet më 16 shtator të këtij viti, në orën 10:00.

“Trupi gjykues shpjegoi se koha e nevojshme për kuvendimet ishte zgjatur në përputhje me Rregulloren, për shkak të vëllimit të madh të provave të marra dhe kompleksitetit të procesit gjyqësor, dhe se kjo zgjatje përligjej nga nevoja për të bërë një vlerësim të arsyetuar, tërësor dhe të drejtë të dokumentacionit të çështjes”, thuhet në njoftim, shkruan REL.

Fillimisht, trupi gjykues kishte afat deri më 19 maj për të shpallur vendimin. Por, duke marrë parasysh kompleksitetin e rastit, ai vendosi ta shtynte këtë afat deri më 20 korrik 2026 dhe tani vendosi përfundimisht për 16 shtator.

Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi, akuzohen për vepra si vrasje, torturim dhe përndjekje, gjatë viteve 1998-’99 gjatë luftës për pavarësinë e Kosovës.

Ata i kanë mohuar në mënyrë absolute këto akuza që përfshijnë rreth 155 viktima.

Ndërkohë, prokurorët kanë kërkuar që ata të shpallen fajtorë dhe secili të dënohet me nga 45 vjet burgim për krimet e pretenduara.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT