Analiza e medias italiane: Durrësi, nyja që mund të ndryshojë Ballkanin, ja pse Shqipëria po bëhet porta e re e Europës!

Shqipëria po fiton një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në hartën strategjike të Evropës. Ky është përfundimi i një analize të publikuar nga e përditshmja ekonomike italiane Il Sole 24 Ore, e cila argumenton se vendi ynë është shndërruar në një hallkë kyçe të korridorit që lidh Adriatikun me Detin e Zi.

Sipas analizës, Italia nuk e sheh më sigurinë e saj energjetike, logjistike dhe industriale të kufizuar vetëm brenda territorit kombëtar. Përmes Korridorit VIII dhe rrjeteve energjetike që kalojnë në Ballkan, Roma po ndërton një sistem të integruar që shtrihet nga brigjet italiane, përmes Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, deri në Detin e Zi. Autori thekson se kablli elektrik Itali–Mal i Zi dhe Korridori VIII nuk duhen parë si projekte të ndara, por si pjesë të së njëjtës arkitekturë strategjike.

Në këtë rrjet, Shqipëria zë një pozicion qendror. Artikulli e cilëson Portin e Durrësit si nyjën më të rëndësishme të Korridorit VIII në Ballkanin Perëndimor. Sipas analizës, modernizimi i linjës hekurudhore Durrës–Rrogozhinë nuk është vetëm një projekt transporti, por një investim që lidh portin më të madh të Shqipërisë me standardet teknike, financimet dhe rrjetin strategjik të Bashkimit Evropian. Projekti mbështetet nga një paketë financiare prej 121 milionë eurosh, e përbërë nga një grant i Bashkimit Evropian dhe financime të Bankës Evropiane të Investimeve dhe BERZH-it.

Artikulli ndalet edhe te Deklarata e Tiranës, e nënshkruar më 18 shkurt 2026 nga ministrat e Jashtëm të Italisë, Shqipërisë, Bullgarisë, Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë. Sipas autorit, kjo marrëveshje e ka ngritur Korridorin VIII nga një projekt rajonal transporti në një bosht strategjik të sigurisë evropiane, të lidhur edhe me planet e NATO-s për lëvizshmërinë ushtarake.

Analiza argumenton se rëndësia e Shqipërisë nuk lidhet vetëm me pozicionin e saj gjeografik. Portet, hekurudhat, rrugët dhe infrastruktura energjetike shqiptare shihen si pjesë e një sistemi të vetëm që lidh Italinë me Ballkanin dhe Detin e Zi. Për këtë arsye, investimet në infrastrukturën shqiptare konsiderohen investime me rëndësi strategjike për gjithë Evropën.

Analiza nuk ndalet vetëm te rëndësia strategjike e Korridorit VIII, por propozon edhe një mënyrë konkrete për të testuar funksionimin e tij. Sipas autorit, në periudhën 2027–2031, Italia duhet të organizojë një stërvitje të madhe të integruar përgjatë korridorit, e cila do të niste nga portet italiane, do të kalonte Adriatikun, do të zbarkonte në Shqipëri dhe më pas do të vazhdonte drejt Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. Në këtë ushtrim do të përfshiheshin rrjetet energjetike, hekurudhat, rrugët, doganat, portet, operatorët e energjisë dhe strukturat e sigurisë. Autori thekson se nuk duhet të jetë një demonstrim i planifikuar për të treguar sukses, por një “stress test” i vërtetë, ku të simulohen ndërprerje të energjisë, sulme kibernetike ndaj porteve, mbyllje rrugësh, vonesa kufitare apo bllokime të rrjeteve elektrike. Sipas analizës, një ushtrim i tillë do të shërbente për të identifikuar paraprakisht dobësitë e korridorit dhe për të kuptuar se ku mund të dështojë ai në rast të një krize reale.

Në përfundim, autori vlerëson se Korridori VIII mund të ndryshojë jo vetëm mënyrën se si lëvizin mallrat dhe energjia në rajon, por edhe vetë gjeografinë ekonomike dhe strategjike të Evropës Juglindore. Në këtë zhvillim, Shqipëria nuk paraqitet më si një vend tranziti, por si një nyje kyçe që lidh Adriatikun me Ballkanin dhe Detin e Zi.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT