Gjeologu: Përse në komunizëm nuk ndërtoheshin godina të larta!

Tërmeti me magnitudë 6.4 sipas shkallës Rihter, zbuloi sipas gjeologut Ylber Muceku “një Shqipëri me ndërtime kaotike dhe pa planifikim urban”. Në Durrës ku ishte edhe epiqendra e tërmetit, u inspektuan më shumë se 700 objekte, prej të cilave 237 janë klasifikuar si të pabanueshme.

Ndërsa dhjetëra shtëpi po shemben, hipotezat për përmasat e kësaj katastrofe që prek edhe qytete si Tirana, Lezha etj., janë të shumta. Dikush fajin ia hedh truallit, ndërtimit në të ashtuquajturat zona “të ndaluara”, por nga ana tjetër, mbijetesa e objekteve me lartësi të mëdha në këto hapësira lë vend për dyshime të tjera, thotë “Panorama”.

Muceku shpjegoi për të se për rrënimin e objekteve në fjalë, nuk mund t’i hidhet faji truallit, por mungesës së studimeve gjeologjike, sizmike dhe projektimeve të paplanifikuara. Përpos kësaj, në terrene “të vështira” kërkohet investim me kosto të lartë.

Ndaj, për ndryshimin e situatës aktuale, ai ngre alarmin për angazhimin e ekspertëve në studime të mirëfillta e kërkime shkencore. Kërkime që sipas tij nuk kanë munguar as në periudhën e komunizmit, kur janë bërë studime të standardeve të larta. Lidhur me këtë periudhë, specialisti tregon edhe rastin e vitit 1979, kur në Shkodër u ndje tërmeti me magnitudë 6.9 i shkallës rihter, që rrënoi mbi 17 mijë objekte.

“Pas katastrofës, banorët në më pak se 6 muaj ishin të gjithë brenda në shtëpitë e reja”, tregon ai. Gjeologu shpjegon gjithashtu, se arsyeja kryesore përse gjatë periudhës së diktaturës nuk ndërtoheshin objekte me lartësi të mëdha është aspekti ekonomik.

“Nuk kishte mjaftueshëm buxhet për të harxhuar. Gjatë asaj periudhe, në Amerikë janë ndërtuar gradaçela. Po ashtu, në Azinë e Mesme (Katar, Dubai etj.) po ndërtohen ndërtesa shumë të larta, po sigurisht që nisma të tilla kërkojnë bazamente shumë të forta, çka do të thotë se kanë edhe kosto të larta”, është shprehur ai.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT