Llogaritë e shtatorit

Nga Skënder Minxhozi/

 

Në fund plazhi fitoi mbi protestën. Siç pritej, sezoni i pushimeve doli më i fortë se kauza non stop e disa qindra protestuesve që vazhdojnë të kërkojnë kokën e Edi Ramës, megjithëse aq sa janë nuk ja dalin të shkarkojnë as drejtorin e ujësjellësit të Tiranës. Lista ultimative e kërkesave të tyre nuk ka lëvizur, megjithëse njolla e njerëzve që lëviz çdo pasdite në bulevardin e Tiranës vijon të tkurret. Edhe premtimi për të futur në burg jo një, por të dy protagonistët e politikës shqiptare vijon të jetë slogani kryesor i ecejakeve nëpër qytet, megjithëse tashmë ai është kthyer në një meme që nuk e besojnë më as vetë ata që e bërtasin me zë të lartë.

Në podiumin e sajuar të protestës vazhdojnë të parakalojnë kalimtarë të rastit, emigrantë që kanë ardhur të takojnë të afërmit ose për pushime e që me këtë rast shfryjnë frustrimin e akumuluar nga mijëra orë lodhje sysh para kompjuterit apo tabletit në shtëpi mijëra kilometra larg.

Parakalojnë aty njerëz të panjohur që dinë ta tregojnë disa herë më së miri hallin personal, por që s’të thonë asgjë sesi mund të zgjidhen hallet e gjithë miletit. Mikrofoni i protestës është kthyer në një lexim kolektiv falli me zë të lartë dhe me kamera të rreshtuara sikur nga momenti në moment do të ndodhë diçka e padëgjuar.

Në fakt gjithçka është e parë e dëgjuar në repertorin e kësaj proteste. E cila pati gjithë kohën e kësaj bote për të treguar se mund ta kthejë fuqinë popullore në një ushtrim meskin inati kundër Edi Ramës. Ky është fati i një proteste që ka zënë shtratin e vet të përsëritjes dhe mërzisë dhe kështu siç paraqitet ditë pas dite, e tkurrur, pa ide dhe pa asnjë fytyrë që të të bëjë të dalësh nga shtëpia në një ditë zgjedhjesh, po kthehet në një dekor që më shumë sesa votat tërheq turistët e huaj.

Kjo është fotografia e gushtit. Një skaner cinik dhe i ftohtë i një nisme që për pak rrëzoi qeverinë dhe që me kalimin e ditëve u kthye në një motiv për rrahje gjoksi nga Rama e ministrat e tij në Bruksel (e shihni sesi Shqipëria toleron protesta paqësore ku shteti nuk prek protestuesit)?!

Në këtë lexim ku rëndësinë fundore e merr pesha reale që protesta ka sot në jetën publike shqiptare, është e pashmangshme që të mos bëhen disa llogari që lidhen me stinën e re politike që nis në shtator. Për sa kohë që gushti duket i arshivuar dhe i qartë në rezultatin e tij: qeveria nuk ra, flamengot sot janë më të paktë se kurrë më parë dhe kauza e tyre nuk po trazon më tiranasit që nuk lëvizin nga kafet as kur ju bërtet në fytyrë “çohuni nga kafja”. Llogaria më e parë që duhet bërë në shtator me mënyrën sesi do të vijojë telenovela protestë-qeveri, është pikërisht kjo apati në rritje e publikut ndaj një fenomeni që fillimisht u duk se do të formatonte sistemin politik në vend dhe do të ribënte librin e rregullave të politikës shqiptare.

Nuk është më sekret dhe as qëndrim tendencioz të thuash se protesta 70 ditore anti-sistem e ka saturuar publikun shqiptar me premtimin se do të fshinte nga faqja e dheut qeverinë, opozitën dhe gjithë krerët e tyre historikë që ende ndodhen nëpër zyrat përkatëse edhe dy muaj e gjysëm pasi ky kërcënim u hodh për herë të parë nga megafoni i protestës.

Llogaria me ftohjen graduale të publikut i cili nuk po sheh të realizohen pritshmëritë që vetë protesta krijoi me premtime ultimative, është një ndër koeficientët kryesorë të klimës që pritet të gjejnë palët në rikthim nga pushimet njëmujore. Kur ti kërcënon me rrëzim, burg, tërheqje zvarrë etj kundërshtarin tënd dhe ai vijon të mbetet i paprekur në zyrën e punës, duke të nxjerrë madje edhe gjuhën sa herë t’i teket, atëhere ose duhet të ndryshosh strategji, ose duhet të shkurtosh listën e kërkesave/ultimatumeve.

Në mesin e protestës Rama nuk ndali për asnjë moment procesin e reformimit të pushtetit vendor. Shkriu jo pak bashki duke rrezikuar të hedhë një pjesë të të pakënaqurve të reformës në përroin e protestës. Gjatë këtyre javëve ai u soll me protestën si me një palë kundërshtare të cilën e di se nuk do t’ja rrezikojë pushtetin. Premtoi të mos prekë asnjë protestues, hapi pa kundërshtim rrugët e Tiranës për procesionet e përnatshme të protestuesve, frenoi tundimin për të ndryshuar qeverinë (element që të bën të mendosh se e konsideron të parrezikshme atë që ndodh në këmbët e zyrës së tij), si dhe gjeti kohën dhe shpërfilljen të financojë me miliona euro edhe një koncert të debatuar të Kanye Ëest.

Formalisht në shtator do të ketë tre palë që do të përplasen politikisht në Tiranë. Dy palë në institucione dhe një e tretë, shumë e vogël dhe për këtë arsye gjithnjë e më agresive, me vezë në duar në dyert e parlamentit. Kjo lloj tabloje nuk ka shumë lidhje me javët e para pas ngjarjeve në Zvërnec, kur Tirana mbytej nga një det flamengosh e kur socialistët ngrinin supet të frikësuar. Është një situatë e njohur, edhe ajo e njohur më parë, ku opozitës në Kuvend i bashkangjitet një grusht protestuesish agresivë në dyert e Kuvendit, që përbën një shtojcë të opozitës zyrtare, jo një vlerë të shtuar të saj. Me vezë në duar e duke u përplasur me policinë te parlamenti protesta po shkel në të njëjtët precedentë me ithtarët e zemëruar të Sali Berishës që këndojnë fundin e Ramës prej 13 vitesh në të njëjtin vend edhe në të njëjtin orar!

Llogaritë politike të shtatorit nuk janë më ato që priste protesta. Ashtu si çdo trend edhe ajo po e konsumon shpejt shasin historik që ju paraqit, duke u shndërruar gradualisht në një dekor demokratik, nga lokomotivë demokracie që premtoi të jetë dy muaj e gjysëm më parë.

Po provohet edhe një herë se sfida e pushtetit nuk fitohet dot nga pak qindra persona, sado fisnike dhe e drejtë të jetë kauza e tyre. Ligji i ftohtë u numrave vendos edhe në këtë rast dhe shtatori ngjan me një malore të fortë pas gushtit të thatë e të nxehtë. Vetëm nëse qeveria pëson ndonjë goditje nga ato të papriturat apo nëse studentët me sezonin e tyre vjeshtor i japin limfë të re lëvizjes së flamengove.

Të gjitha këto janë hipoteza dhe skenare që mbeten për t’u provuar. Realiteti i vapës së gushtit është ai që shohim çdo ditë: një levizje popullore që ka brenda gjithnjë e më pak popull dhe një premtim madhor për një përmbysje historike që artikulohet nga kalimtarë të rastit të cilëve askush s’do t’jua mësojë kurrë emrin pas pak minutave lavdi që jua jep mikrofoni që marrin në dorë.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT