“Rama nuk ka qelizë shtetformuese”, Arben Malaj flet për kryeministrin e sotëm dhe kujton Fatos Nanon: Nuk të kërkonte ta shkelje ligjin

Në një intervistë për Euronews Albania ish-ministri i financave Arben Malaj, kujtoi marrëdhëniet e tij me themeluesin dhe kryetarin të Partisë Socialiste Fatos Nanon dhe kryeministrin Edi Rama.
Ai e cilësoi Faros Nanon si një njeri mendjehapur, me aftësi për të konceptuar modele të reja politike (si modeli laburist me “ministrat hije”).
“Unë kam pasur marrëdhënie të veçanta të përcaktuara nga Nano, sepse ai të zgjidhte të të promovonte ose të thoshte aty ku je vazhdo. Kështu që kam pasur një mbështetje që në fillim. Nano duke qenë në burg politik dhe duke qenë se faktori ndërkombëtar, duke parë agresivitetin e madh kundër partive politike, kërkonte një fytyrë tjetër nga e majta sepse ishte dhe partia më e fortë në mbështetje dhe Nano nga burgu konceptoi modelin e laburistëve që kryetarët e komisioneve do të ishin ministrat e ardhshëm.
Laburistët e kanë kështu që këtu është qeveria përballë, këtu është ministri hije, ai e bën luftën ballë për ballë që të fitojë besimin publik dhe Nano që atëherë nga burgu më propozoi që të isha kryetar i komisionit të financës. Pati ca reagime nga ish-profesorët e mi, nga doli si doli? Megjithëse të gjithë më kishin vënë dhjeta, po në fund të fundit ishte vendimi i Nanos dhe e vërteta ndodhi që pasi ne morëm pushtetin, pavarësisht si u rrotulluan gjërat, unë isha si të thuash ministri i financave të vendit tim në krizën e tij më të rëndë.“- tha Arben Malaj
Malaj tha se Nano ishte një njeri që ndante pushtetin për të ndërtuar shtet, duke respektuar mendimin ndryshe dhe duke mos e penalizuar. Merita e tij, sipas ish- ministri t ë financave, lidhet me hapin e parë drejt BE-së, marrëveshja e Stabilizim-Asocimit (2003). Arben Malaj theksoi se edhe gjallë, Fatos Nano arriti të krijojë një respekt të gjerë nga partitë e tjera, duke u konsideruar si figurë e rëndësishme e tranzicionit demokratik.
“Nano ishte filozofik, ishte vizionar në atë që desh të bënte dhe në atë që konturuam, se shqiptarët e harrojnë që hapi i parë drejt Bashkimit Evropian ishte marrëveshja e stabilizim-asocimit. Është nënshkruar në 2003-in nga qeveria jonë, ka nënshkruar Nano me Romano Prodin dhe pastaj filluan hapat e tjera. Pra, ne kemi qenë së bashku në konferencën e Selanikut ku u deklarua qartë pas Samitit të Zagrebit që Ballkani Perëndimor do të jetë vend i BE-së.
Nuk të hynte në detaje, nuk të kërkonte ta shkelje ligjin. Të paktën nuk kam pasur asnjë rast dhe mbi të gjitha merita e tij është që të krijojë një trashëgimi duke qenë gjallë, se kur vdes të gjithë fillojnë. Pra Nano edhe gjallë krijoi trashëgiminë e respektueshme nga të gjitha partitë politike dhe opinionin publik që ishte njeri mendjehapu, që e lejonte mendimin e lirë, nuk e penalizonte mendimin ndryshe dhe ai kishte filozofinë e tij: do të ndajmë pushtet për të bërë shtet.“- shtoi ai.
Malaj është ndalur edhe te mendimi i tij për kryeministrin Edi Rama. Sipas tij, Rama nuk ka dije shtetformuese dhe beson verbërisht te këshilltarët e huaj.
Ai shtoi se Rama e përqendron pushtetin dhe nuk pranon këshilla nga brenda, duke besuar vetëm te këshilltarët e huaj dhe se qeverisja e tij shihet si e kopjuar nga modeli i Tony Blair (“qeveria e kuzhinës”), pra më shumë një strukturë e mbyllur sesa e hapur.
“Dallon 100% sot nga fakti që do të përqendrojmë të gjitha pushtetet për të mos bërë shtet. Ndërsa Edi Ramën e kam njohur herën e parë fizikisht kur i vdiq i ati dhe ne shkuam me Nanon atje me Blushin. Ishim një grup te shtëpia për ta ngushëlluar.
Me Ramën kam pasur një gjë që në fillim, që ja kam thënë dhe Nanos e them publikisht, për mua nuk ka asnjë qelizë shtetformuese. Ka atë emocionin, ka atë karizmën, nuk e njeh shtetin, nuk pranon të këshillohet, denigron këshilltarët e brendshëm, beson në mënyrë apriori vetëm profesorët e huaj dhe këshilltarët e huaj, por pa e njëjtën kulturë të vendit tënd ti nuk mund të dëgjosh vetëm të huajt. Dhe qeveris me një model që e ka kopjuar nga këshilltari i tij kryesor Toni Bler. Pra, Toni Bler njihet që krijoi atë sistemin e qeverisë që quhej qeveria e kuzhinës.”– tha Arben Malaj për Euronews Albania.