“Nuk ndryshojmë qëndrim për Kosovën”, shteti shqiptar reagon pas deklaratës së Zelenskyt në Serbi: Nuk ka paralelizëm mes Prishtinës dhe Kievit

“Ne nuk ndryshojmë qëndrim sa i përket njohjes së Kosovës”, kështu deklaroi një ditë më parë presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky gjatë takimit të tij në Serbi, ku shtrëngoi duart me homologun e tij serb, Aleksandër Vuçiç.
Ky qëndrim i Zelenskyt në një kohë kur Kosova ka sanksionuar Rusinë dhe ka dënuar agresionin që po i bëhet prej vitesh qytetarëve ukrainas, ka nxitur jo pak debate në rrjet.
Lidhur me këtë deklaratë të presidentit të Ukrainës ka ardhur dhe një reagim nga shteti shqiptar.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë ka ritheksuar mbështetjen e saj për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, ashtu edhe për sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës. MEPJ shton se nuk duhet të krijohet asnjë paralelizëm mes Kosovës dhe situatës në Ukrainë, duke e cilësuar një qasje të tillë si të gabuar dhe mashtruese.
“Nuk duhet të ketë keqkuptime në këtë pikë: çdo përpjekje për të vendosur një paralele ose për të krijuar një ekuacion midis Kosovës dhe çdo situate tjetër ndërkombëtare është e gabuar, oportuniste dhe thellësisht çorientuese”, thuhet më tej në reagimin e Ministrisë shqiptare.
Reagimi i Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë:
Vizita e Presidentit Zelenski në Serbi është e rëndësishme. Dialogu është gjithmonë i mirëpritur, veçanërisht kur krijon hapësirë për t’u përballur me qartësi, përgjegjësi dhe ndjeshmëri ndaj çështjeve të vështira.
Ashtu siç Shqipëria qëndron, dhe do të vazhdojë të qëndrojë, fort në mbështetje të sovranitetit, pavarësisë, integritetit territorial dhe të ardhmes evropiane të Ukrainës, ne mbështesim dhe qëndrojmë po aq fort për sovranitetin, pavarësinë dhe vendin që i takon Kosovës në familjen euroatlantike.
Nuk duhet të ketë keqkuptime në këtë pikë: çdo përpjekje për të vendosur një paralele ose për të krijuar një ekuacion midis Kosovës dhe çdo situate tjetër ndërkombëtare është e gabuar, oportuniste dhe thellësisht çorientuese.
Rasti i Kosovës qëndron mbi themelet e veta historike, politike dhe ligjore. Me kërkesë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ishte e prerë: Shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk shkeli të drejtën ndërkombëtare. Agresioni i Rusisë kundër Ukrainës është një çështje krejtësisht e ndryshme. Ai përbën një shkelje të rëndë të Kartës së OKB-së dhe të drejtës ndërkombëtare, si dhe një shkelje flagrante të rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla.
Nga perspektiva e Shqipërisë, një parim është themelor: një Ballkan Perëndimor paqësor, i qëndrueshëm dhe evropian kërkon pranimin e realitetit dhe pakthyeshmërisë së pavarësisë së Kosovës. Pavarësia e Kosovës ka kontribuar në stabilitetin rajonal dhe është pjesë e një të ardhmeje në të cilën kufijtë nuk ndryshohen me forcë, dhe ku popujt dhe komunitetet mund të përcaktojnë të ardhmen e tyre në paqe dhe siguri.
Ne gjithashtu mbajmë fuqimisht qëndrimin se Serbia dhe Kosova i përkasin një të ardhmeje të përbashkët evropiane.
Normalizimi i marrëdhënieve mes tyre, që në fund çon në njohje të ndërsjellë, nuk do ta dobësonte Serbinë. Përkundrazi, do të ndihmonte në mbylljen e një prej kapitujve më të dhimbshëm të historisë së kohëve të fundit të rajonit tonë dhe do të hapte rrugën për pajtim të vërtetë, marrëdhënie të fqinjësisë së mirë dhe paqe të qëndrueshme.
Ballkani Perëndimor ka nevojë për atë energji pozitive sot, ndoshta më shumë se kurrë.
Vizita e Presidentit Zelenski në Serbi përparon para së gjithash, interesat e Ukrainës. Kjo është e kuptueshme dhe legjitime. Po ashtu, çdo hap që ndihmon Serbinë të largohet më tej nga ndikimi keqdashës i Rusisë dhe t’i afrohet Evropës është pozitiv.
Por çdo angazhim është gjithashtu një mundësi për të çuar përpara një mirëkuptim themelor: Ballkani Perëndimor duhet të ecë përpara, jo prapa.