“Diçka që nuk ka ndodhur kurrë më parë në historinë e vendit”

Prof. Aleko Miho

Ka kohë që komuniteti shkencor shqiptar dhe ndërkombëtar ështё kundër ndërtimit të HEC-eve në Lumin Vjosë.

Mё poshtë po japim përmbajtjen e plotë të Peticionit, i cili ka gjetur mbështetjen e rreth 776 shkencëtarëve nga 46 vende të ndryshme të botës, mes tyre edhe personalitete botërore të ekologjisë lumore dhe menaxhimit të tyre. Është një nga Peticionet më të mëdha të shkencës në ekologjinë e ujërave të ëmbël, në nivel botëror.

Peticioni u nënshkrua edhe nga 129 ekspertë shqiptarë, që nuk ka ndodhur kurrë më parë në historinë moderne të vendit tonё.

Peticioni përfundoi që në Nëntorin e kaluar, por dorëzimi tek vendimmarrja dhe shpallja publike u shty për arsye të gjendjes emergjente që kaloi vendi.

Kush do të njihet më shumë mbi Mbështetësit e Peticionit, çfarë kanë pohuar disa nga personalitetet e botës akademike ose çfarë kanë sjellë ata në Simpoziumin Shkencor Ndërkombëtar për Lumenjtë e Egër (ISWR 2019) mbajtur në Tiranë në Tetor 2019, ftojmë të vizitoni faqen tonë të FShN.

***

Lumi Vjosë në Shqipëri është një nga lumenjtë më ikonikë në Europë. Së bashku me degët e tij, Vjosa formon sistemin më të paprekur të lumenjve në Europë jashtë Rusisë. Sidoqoftë, Lumi Vjosë është në rrezik për shkak të planifikimit të ndërtimit të hidrocentraleve, si dhe planeve të zhvillimit të infrastrukturës pranë deltës së lumit.

Si ekspertë të peizazheve lumore nga disiplina të ndryshme shkencore, nga hulumtimet i kryera kohët e fundit në pellgun e Vjosës, mbështetim fuqimisht se është urgjentisht i nevojshëm të bëhet rivlerësimi me kujdes i rreziqeve të projekteve të planifikuara të hidrocentraleve në Kalivaç dhe Poçem.

Përveç shkatërrimit të ekosistemeve unike, sipas hulumtimeve të fundit këto projekte:

  • Nuk zvogëlojnë rrezikun nga përmbytjet në rrjedhën e poshtme, pasi digat e parashikuara nuk mund të mbajnë prurje të mëdha ujërash nga lumi;
  • Ndikojnë në zhvillimin bujqësor, duke ulur nivelin e ujërave nëntokësorё, si dhe lejojnë ndërhyrjen e ujit me kripë në rrjedhën poshtë digave;
  • Ndikojnë në zhvillimin e turizmit nga erozioni bregdetar për shkak të mbajtjes së sedimenteve prej digave;
  • Kanë kosto të lartë mirëmbajtjeje të ujëmbledhësve dhe jetë relativisht të shkurtër të tyre, për shkak të ngarkesës së madhe të grimcave të imëta dhe të trasha të sedimenteve;
  • Rritin rreziqet e aktivitetit sizmik në rajonin e Vjosës.

Prandaj, ne shkencëtarët nënshkrues, i kërkojmë Qeverisë shqiptare, përkatësisht Kryeministrit Edi Rama, Ministrit të Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi dhe Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku të:

1) Bien dakord për një periudhë kohore prej dy vjetësh (2020/2021) për një rishikim të plotë të politikës aktuale të hidrocentraleve në pellgun e lumit Vjosë;

2) Hulumtojnë bashkërisht mundësitë ekonomike për formulimin e një ‘Strategjie të qëndrueshme për lumin Vjosë’ brenda kornizës së planifikimit të menaxhimit të pellgjeve lumore;

3) Krijojnë një “Tryezë të rrumbullakët shkencore për lumin Vjosë” – ku të jenë përfshirë ekspertë vendas dhe ndërkombëtarë, në mënyrë që të mundësohet ‘informimi në vendimmarrje’ për çështjet kryesore të identifikuara në lidhje me pellgun e lumit Vjosë;

4) Ndjekin angazhimet politike/ligjore të miratuara nga Shqipëria për të përmbushur konventat ndërkombëtare, si dhe kërkesat e BE-së.

 

*****

Prof. Aleko Miho, Departamenti i Biologjise, FShN, UT. Teksti është kopja e plote e peticionit te fundit, miratuar nga 776 shkencetare vendas dhe te huaj. 

Back to top button
LAJMET E FUNDIT