Tre profesionet më të paguara në Shqipëri? Në krye ushtarakët, menaxherët dhe…

Menaxher apo drejtues, specialist me arsim të lartë dhe kryesisht IT, si dhe forcat e armatosura janë tre grup-profesionet më të paguara në Shqipëri. Sipas të dhënave të INSTAT, pagat në këto sektorë variojnë mesatarisht nga 107 mijë lekë në 132 mijë lekë në muaj.

Sipas ekspertëve të ekonomisë, pagesat më të larta në këto sektorë lidhen me kërkesat për nivel të lartë aftësish teknike e po ashtu për shkak të mungesës së specialistëve.

“Kemi një model të rritjes së pagave tashmë të polarizuar, i cili u duk që me vendimin që mori për rritjen e pagave të administratës dhe natyrisht edhe sektori privat rriti pagat sa nga kërkesa për fuqi punëtore, por edhe largimet. Pjesa ushtarake është edhe për shkak të kërkesës së NATO-s, duke rritur buxhetin në një pjesë shkon edhe për paga. E po ashtu edhe kërkesa për disa kategori, si IT, inxhinieria, disa sektorë të transportit ajror dhe ata sektorë që kanë shkurtesa dhe kanë paga më të larta”, pohoi eksperti për çështjet e ekonomisë, Eduart Gjokutaj.

Me shqetësim për ekspertët shihet hendeku që krijohet mes pagave të larta dhe atyre minimale. Bujqësia vijon të mbetet sektori më pak i paguar, me mesatarisht 52 mijë lekë në muaj.

“Kemi rritje page mesatare të konsiderueshme me 3-4 vjet më parë, disa të tjera janë shumë të larta, të tjerat kanë ngelur në vend. Në këtë dallim që në të kaluarën, kur pagat ishin të ulëta, ky hendek është rritur shumë dhe po krijohet polarizim. Sektori i bujqësisë ka paga shumë të ulëta. Po ashtu edhe magazinat, sektorët ndihmës janë me paga të ulëta.”

Ky polarizim, sipas ekspertëve, ka sjellë një strukturë ekonomike të ndarë, ku tregu i punës po funksionon me dy ritme. Nga njëra anë janë sektorët me paga të larta që përballen me mungesë të vazhdueshme të fuqisë punëtore, ndërsa sektorët me paga të ulëta përballen me vështirësi në sigurimin e stafit afatgjatë.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT