PËRPLASJE në Vlorë! Situata në Aeroportin e ri kthehet dramatike dhe qesharake, qindra policë qëndrojnë “gardh”, shteti dhe dy kompanitë që zihen bëhen “gazi i botës” (PAMJE)

Tensione të forta janë regjistruar edhe këtë të martë në hyrje të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës. Ashtu si një ditë më parë, situata në kantierin e aeroportit është shoqëruar me përplasje dhe prani të shtuar të forcave të policisë, ndërsa konflikti mes dy kompanive aksionare po pengon vijimin normal të punimeve.

Qindra efektivë policie janë vendosur që në orët e para të mëngjesit para hyrjes së aeroportit, duke krijuar një “gardh” sigurie dhe duke mos lejuar futjen e punonjësve në ambientet e kantierit për të vijuar punën.

Nga videot e siguruara nga Newsbomb, shihen momente tensioni mes punonjësve dhe efektivëve të policisë, ku në disa raste ka pasur edhe përplasje fizike në hyrje të aeroportit.

Forcat e policisë nuk po lejojnë punonjësit të futen në ambientet e Aeroportit si dhe janë vendosur për të parandaluar incidente të tjera mes punonjësve të kompanisë “Mabco” të Behgjet Pacollit dhe “2A Group” të Valon Ademit, dy ortakët që prej muajsh janë në konflikt për çështjen e aksioneve dhe kontrollin e kompanisë koncesionare të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës.

Një ditë më parë, punonjësit e kompanisë së Valon Ademit nuk lejuan hyrjen në kantier të 22 nënkontraktorëve të thirrur nga “Mabco” për të kryer punime në aeroport. Më pas, hyrja kryesore u bllokua duke penguar edhe daljen e automjeteve të “2A Group”.

Konflikti mes palëve ka përfunduar në dyert e gjykatave. Në qendër të përplasjes është pretendimi i “2A Group” se ka blerë rreth 47% të aksioneve të ortakut shumicë “Mabco”, pretendim që kundërshtohet nga kjo e fundit, e cila deklaron se nuk ka firmosur asnjë kontratë shitblerjeje.

Ndërkohë, Behgjet Pacolli reagoi një ditë më parë për situatën e krijuar në aeroport, duke akuzuar palën tjetër për bllokim të punimeve dhe tentativa të paligjshme për marrjen e aksioneve të kompanisë. Ai paralajmëroi se çështja do të ndiqet në rrugë ligjore.

“Kjo që po ndodh në Vlorë, ky terrorizim i grupeve kriminale ndaj punonjësve të investitorit të vetëm Mabco (pronarit të 98% të kuotave), i cili është i ekspozuar me mbi 300 milionë euro në Vlorë, i inkurajuar nga vendime gjyqësore të përkohshme, joligjore dhe jokushtetuese, e ka zanafillën te veprimet e pamoralshme, të dënueshme, mashtruese dhe tradhtare të Valon Llukës. Ai erdhi në grupin Mabetex, kaloi nëpër shumë funksione, u pasurua dhe në fund, pas 18 vitesh, tregoi fytyrën e tij të vërtetë dhe tradhtoi besimin që ia kishim dhënë”, tha Pacolli ndër të tjera.

Përplasja në Aeroportin e Vlorës: 

Aeroporti i Vlorës është përfshirë në një skemë të errët, me përplasje mes aksionerëve dhe hetime nga organet e drejtësisë. Konflikti mes biznesmenit Behgjet Pacolli dhe Valon Ademit ka marrë përmasa publike dhe ligjore, ndërkohë që Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka nisur hetime për kontratën koncesionare që financon projektin.

Valon Ademi përfaqësues i kompanisë 2A Group, fillimisht ka pasur 2% të aksioneve në Aeroportin e Vlorës. Ndërkohë pas tërheqjes së turqëve,  Yda , të cilët i shitën aksionet e tyre për 4200 euro, Ademi ka pretenduar se mes tij dhe Pacollit u firmos një kontratë ku atij i kaluan 47% të aksioneve.

2A Group e Ademit kërkon të njihet si 47 për qind aksioner duke pasur në dorë kontratën por edhe gjithë dokumentet e investimit gjatë këtyre dy viteve, ndërsa Mabco e Pacollit refuzon dhe ka marrë një vendim si aksioner kryesor që të mos lejohet ndryshimi i aksioneve.

Gjithashtu ai ka akuzuar Pacollin se ka bërë marrëveshje financiare, huanë prej 100 milionë eurosh, pa e njoftuar dhe përfshirë në mënyrë të saktë ortakun e vogël, dhe se shumë nga këto fonde nuk kanë ardhur të regjistruara në Shqipëri.

Avokati i Ademit ka deklaruar se kur firma turke që kishte marrë pjesë në projekt (YDA Group) u tërhoq, aksionet e saj kaluan te Mabco, e Behgjet Pacollit, dhe në të njëjtën ditë u nënshkrua marrëveshje mes Pacollit dhe Ademit, me ndarje që sipas tyre duhej të ishte 49–51. Por Mabco kundërshton këtë variant dhe nuk pranon që të bëhet regjistrim zyrtar i pjesëmarrjes sipas kontratës noteriale.

Më herët Pacolli ka vendosur të shkarkojë administratorin e kompanisë koncesionare të aeroportit, Valon Lluka, me votat e vetë Mabco-s, pa praninë ose miratimin e 2A Group. 2A Group pretendon se ky veprim është bërë për të forcuar kontrollin e Pacollit dhe për të eliminuar çdo pengesë institucional ose ligjore. Gjykata e Tiranës ndërhyri duke pezulluar lëvizjet e Pacollit lidhur me aksionet e aeroportit, duke ndaluar çdo ndryshim në strukturën e aksioneve derisa të sqarohet ligjërisht se kujt i takojnë ato aksione në të vërtetë. Ndërkohë, Valon Ademi ka bërë kallëzime penale kundër Pacollit, përfshirë akuza për mashtrim, falsifikim dokumentesh dhe manipulim të aksioneve.

Ndërkaq, SPAK ka marrë një rol kyç, në korrik 2025 është regjistruar një procedim penal në fazë paraprake për kontratën koncesionare të Aeroportit të Vlorës. SPAK po heton nëse kontrata është dhënë në mënyrë të ligjshme, nëse kushtet financiare dhe ndërtimore janë përputhur me ligjet për prokurimet publike dhe nëse janë abuzuar me procedurat e kontraktimit.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT