PËRMBYSJA E MADHE për Aeroportin e Vlorës, Behgjet Pacolli mori avokat ish-ministrin e Drejtësisë të PD, Eduard Halimi dhe ekipi i tij i siguruan fitore në Gjykatën e Lartë

Gjykata e Lartë e Shqipërisë, organi më i lartë i drejtësisë në Republikë, ka vendosur dje në një seancë intensive t’i japë të drejtë kompanisë “Mabco Constructions SA” në pronësi të miliarderit Behgjet Pacolli, duke i rikthyer Aeroportin e Vlorës.
Ortaku mazhoritar që zotëron 98% të aksioneve të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës ishte përjashtuar nga vendimmarrja nga ortaku tjetër Valon Ademi, i cili zotëron vetëm 2% të aksioneve, duke përfituar nga procedura të dyshimta që Pacolli vetë i konsideron të paligjshme.
Prej shumë muajsh, punimet në VIA ishin pezulluar dhe po krijoheshin vonesa për hapjen e aeroportit, ndërsa Gjykata e Shkallës së Parë dhe ajo e Apelit i kishin dhënë të drejtë Valon Ademit.
Një precedent absurd ku ortaku mazhoritar që zotëron 98% të aksioneve dhe pretendon se ka angazhuar, edhe përmes daljes garant për kredi, më shumë se 300 milionë euro, u përjashtua nga e drejta e administrimit të aeroportit, ndërsa javët e fundit ju ndalua dhe hyrja në kantier.
Mirëpo, në seancën e djeshme prej më shumë se tre orësh, mësohet se Behgjet Pacolli kishte angazhuar për mbrojtjen studion ligjore të ish-ministrit të Drejtësisë të Partisë Demokratike, Eduard Halili. Bashkë me dy kolegët e studios së tij, ata kanë siguruar një fitore deçizive.
“Halimi & Ahmetaj|Law & Tax përfaqësoi me sukses klientin tonë, shoqërinë Mabco Constructions SA, në një seancë intensive prej më shumë se 3 orësh për çështjen e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës!
Avokatët tanë Eduard Halimi, Arlind Ahmetaj dhe Nikolin Muçaj mbrojtën me profesionalizëm të lartë të drejtat e ortakut mazhoritar në këtë çështje të rëndësishme gjyqësore”, thuhet në njoftimin e studios ligjore.
Ky vendim përfundimtar përfaqëson një akt të rëndësishëm të drejtësisë dhe rivendos parimet themelore të së drejtës së shoqërive tregtare dhe kushtetuese në Shqipëri, ndërsa i jep të drejtë miliarderit Behgjet Pacolli të rimarrë kontrollin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës dhe të nisë punën menjëherë për dorëzimin e kësaj vepre strategjike, ndër më të rëndësishmet e jugut.
“Ndryshimin e vendimit nr. 17959 Akti, date 23.12.2025 të Gjykates së Shkallës Juridiksionit te Pergjithshëm Tiranë dhe vendimit nr. 185 (30-2026-1569), date 19.02.2026 te Gjykates se Apelit te Juridiksionit te Pergjithshem Tirane dhe rëzimin e kerkeses se paditesve “Vlora Internacional Airport” SHPK dhe “ZA Group” për marrjen e masës së sigurimit te padise”- njoftoi Gjykata e Lartë.