Mercedesi i mbushur me drogë për në Greqi, VIDEO: Agjentët e Korçës ndërhyjnë në kohë dhe u prishin planin trafikantëve

Një 46 vjeçar është arrestuar në kushtet e flagrancës nga agjentët e Sektorit të Narkotikëve në Policinë e Korçës, pasi në bashkëpunim me një 37 vjeçar, do të trafikonin 16 kilogramë kanabis në drejtim të Greqisë.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Korçë, pas një hetimi disa javor me metoda proaktive, në drejtimin e Prokurorisë, finalizuan operacionin policor të koduar “Cross Border”.
Në kuadër të operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi J. B., 46 vjeç, banues në Korçë, dhe u shpall në kërkim shtetasi D. M., 37 vjeç, banues në Korçë, bashkëpunëtori i 46-vjeçarit.
Efektivët ndaluan për kontroll në fshatin Vishocicë, Devoll, automjetin që drejtohej nga shtetasi J. B. Në bagazh u gjet një çantë sportive, brenda së cilës ishin 15 pako të mbështjella me natriban, me peshë totale 16 kg, lëndë e dyshuar narkotike kanabis sativa.
Nga hetimet e deritanishme rezultoi se shtetasi J. B., në bashkëpunim me shtetasin D. M., për të cilin vijon puna për kapjen e tij, do ta trafikonin drejt Greqisë sasinë e lëndës narkotike. Në drejtimin e Prokurorisë vijon puna për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.