Nga “Shqiponjat” te IMT-ja, Ëngjëllush Avdulaj merr tjetër detyrë të rëndësishme

Ëngjëllush Avdulaj do të jetë drejtuesi i ri i Policisë Bashkiake të Vlorës. Ai është shpallur fitues mes pesë emrave që garuan për këtë pozicion të rëndësishëm, në kuadër të ristrukturimit të bashkisë së qytetit bregdetar.
Dje, Bashkia e Vlorës ka njoftuar se Ëngjëllush Avdulaj është shpallur fitues mes garuesve Albert Gjondedaj, Dorina Merdani, Pëllump Balaj dhe Rudina Mehmeti.
Ai ka një karrierë më shumë se 25 vjeçare mbi supe, qëkur ka nisur punë si inspektor i policisë kriminale, më pas ka mbajtur detyra të ndryshme si shef seksioni i rendit, shef sektori, komandant nën/reparti, komandant reparti me forcat speciale e ndërhyrjes së shpejtë, shef i repartit Shqiponja Tiranë, shef komisariati, drejtor i paraburgimit Vlorë.
Ëngjëllush Avdulaj në kohën që ka mbajtur detyrën si drejtues policie, u raportua se u kërcënua nga Ervis Martinaj, për shkak të kontrolleve në bizneset loto-sport.
Në Tetor 2023, ai dha dorëheqjen si Drejtori i Burgut të Vlorës, duke kërkuar vetë të largohej nga kjo detyrë, për shkak se do të merrte një post të rëndësishëm. Disa muaj më pas, ai mori drejtimin e Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit në Bashkinë e Vlorës.
Komisari Ëngjëllush Avdulaj rezulton ndër të vetmit drejtues policie, i cili ka denoncuar dhe është përballur me kërcënimet e një prej personave më të kërkuar nga drejtësia shqiptare, duke dëshmuar për një nivel të lartë guximi dhe devotshmërie në përmbushjen e detyrave shtetërore.
Për këtë përballje me krimin, Ëngjëllush Avdulaj është kërcënuar me jetë dhe përsëri nuk është tërhequr nga detyra, duke vendosur t’i besonte institucioneve të shtetit shqiptar.