“Do të më zhdukin”, rrëfeu për atentatin ndaj Arjan Ndojës, “pentito” i SPAK i frikësuar për jetën: Më ndjekin makina luksoze…(DËSHMIA)

Është zhvilluar ditën e sotme procesi gjyqësor për atentatin e ndodhur në 2019 te mbikalimi i Shkozetit, ku mësohet se pronari i tokës ku u gjetën armët dhe automjeti i autorëve të ngjarjes, ka kallëzuar kërcënimet e marra ndër vite nga disa persona që qarkullojnë me makina luksoze.
Burime për mediat bëjnë me dije se procesi është zhvilluar i ndarë, ndaj Amar Shkëmbit dhe Bledar Polovinës të cilët thuhet se po gjykohen në një proces tjetër.
Dëshmitari me iniciale A. P, njëherazi dhe pronari i tokës ku u gjetën makina dhe armët e përdorura nga autorët e atentatit është thirrur nga SPAK për të dhënë dëshminë e tij në lidhje me atentatin e bujshëm ku mbeti i vrarë shoferi 23-vjeçar Andi Maloku.
Mësohet se shtetasi A.P ka qenë tepër i trembur në lidhje me ngjarjen dhe ka rrëfyer para Gjykatës së Posaçme se ndihet i kërcënuar.
Sipas tij, atë të gjithë e akuzojnë si spiun të SPAK e për rrjedhojë të presionit të ushtruar ndaj tij, ka bërë me dije se do të largohet nga Shqipëria.
Po ashtu dëshmitari tregoi se 2 prej fëmijëve të tij janë larguar më herët nga Shqipëria dhe ndodhen në kamp jashtë vendi, vetëm për shkak të atentatit të 2019.
Ndërsa më tej A.P pretendon se e kanë goditur me levë pas koke dhe e kanë kërcënuar dhe në polici. Personi në fjalë ka shprehur frikë për jetën e tij duke shhtuar se ndiqet nga automjete të shtrenjta, që sipas tij janë persona që kanë lidhje me atentatin ndaj ish-prokurorit Ndoja.
Dëshmia e tij ka tërhequr vëmendjen e gjyqtarit të çështjes, Paulin Cera i cili mësohet se i ka sugjeruar atij të denoncojë menjëherë rastin qoftë në polici apo prokurori.
Po ashtu dhe prokurori i SPAK, Adnan Xholi ka dalë në mbështetje të tij duke i bërë me dije se do t’i vërë në dispozicion agjentët e Byrosë Kombëtare për të verifikuar pretendimet që dëshmitari kishte në lidhje me episodet e fundit.
Mirëpo ky i fundit ka kundërshtuar duke theksuar për të disatën herë se do të largohet nga Shqipëria.
Kujtojmë që më 1 nëntor 2019, automjeti ku po udhëtonin Arjan Ndoja, shoferi i tij Andi Maloku dhe Aleksandër Laho (alias Landi Muharremi) u qëllua me breshëri kallashnikovi te mbikalimi i Shkozetit. Ndoja dhe Laho arritën t’i shpëtonin vdekjes, ndërsa shoferi Maloku ndërroi jetë si pasojë e plagëve të rënda në datën 7 nëntor.
Më 18 mars të këtij viti, ish-prokurori Arjan Ndoja foli për herë të parë në lidhje me atentatin e bërë ndaj tij më 1 nëntor të 2019, në zonën e njohur si “mbikalimi i Shkozetit”, duke hedhur poshtë pretendimet se ngjarja është realizuar nga nxitje politike nga “kundërshtarët”.
Në seancën e mbajtur më 8 maj të 2026 në lidhje me atentatin te mbikalimi i Shkozetit, SPAK kërkoi burg përjetë për Plaurent Dervishajn, ndërsa për Julian Meçen është kërkuar dënimi me 35 vite burg.