Audiomesazhi i Ramës në telefon, PD: Papërgjegjshmëri dhe propagandë

Partia Demokratike e cilëson jo vetëm të panevojshme, por edhe të dënueshme atë që e cilëëson “ndërhyrje të Edi Ramës në komunikimin normal mes qytetarëve në telefon”. Opozita i referohet faktit që në shërbimet e një kompania celulare, para se të lidhet telefonata me destinacionin e saj, shfaqet një mesazh zanor i Kryeministrit që kërkon higjienë, vetëngujim dhe durim.

PD thotë se për këtë ka marrë me mijëra ankesa nga qytetarët, se nuk lidhet dot me familjarët, të afërmit dhe të njohurit e tyre për shkak të anomalisë së krijuar nga audiomesazhi i Kryeministrit. Në reagimin e saj, PD thotë se mesazhi nuk është as normal dhe as i drejtuar nga njeriu i duhur për ndërgjegjësimin e qytetarëve mbi rrezikun e koronavirusit.

“Në çdo vend, ku Kryeministri shqetësohet për qytetarët dhe jo për propagandën e tij, mesazhet sensibilizuese për shëndetin dërgohen nga institucionet e shëndetit publik, jo nga politikanët. Partia Demokratike e dënon këtë akt flagrant të ndërhyrjes në privatësinë dhe mundësinë për komunikim normal të qytetarëve nga Edi Rama, që përdor AKEP-in si zyrë propagande të PS”, vijon deklarata.

Nga kompanitë celulare, PD kërkon që të ndërpresin menjëherë këtë, që e vlerëson si shkelje e ligjit dhe kushteve të kontratës që kompanitë kanë me klientët e tyre dhe të mos i shërbejnë propagandës personale të Edi Ramës.

Më e dobishme prej kompanive, PD vlerëson se do të ishte ofrimi falas i shërbimit të internetit.

“Mijëra fëmijë janë duke marrë mësim online dhe kanë nevojë për internet. Shumica dërrmuese e familjeve shqiptare e kanë të pamundur të përballojnë faturën e internetit. Një masë e dobishme nga kompanitë celulare është të mundësojnë internet falas gjatë krizës për të gjithë njerëzit në nevojë dhe për prindërit e fëmijëve në shkollë, duke siguruar akses të plotë në mësimin online”, vijon deklarata.

PD dënon gjithashtu edhe thirrjen, sipas saj, të papërgjegjshme të Edi Ramës që u kërkon qytarëve që të bojkotojnë mediat.

“Në një vend demokratik, media e lirë është mjeti më i besueshëm i marrjes së informacionit nga qytetarët. Përmes medias dhe çdo forme tjetër komunikimi, qytetarët kanë nevojë të dëgjojnë zërin e mjekëve dhe të specialistëve, jo zërin e propagandës apo të kryeministrit në hall për pikët në rënie të pushtetit të tij”,vijon reagimi.

“Në vend që të politizojë gjithçka, duke shqetësuar qytetarët dhe duke sulmuar opozitën, Edi Rama duhet të kryejë detyrat e kryeministrit për t’ua lehtësuar qytetarëve dhe personelit shëndetësor këtë moment të vështirë. Kryeministri ka detyrë që të rrisë buxhetin e nevojshëm për përballimin e kësaj situate. 3 milionë euro janë krejt të pamjaftueshme! Në vend të mesazheve telefonike, qytetarët duan që Kryeministri të marrë masa për të mbrojtur biznesin nga mbyllja e përkohshme e detyrueshme, duke e lehtësuar nga detyrimet tatimore. Qytetarët duan siguri nga profesionistët, jo propagandë nga pushtetarët!”, mbyllet deklarata e PD.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT