Në kërkim për plagosje, kapet në Tiranë me armë e kokainë vëllai i Fatjon Muratit

Një 41-vjeçar i cili ishte shpallur në kërkim ka rënë në prangat e policisë së kryeqytetit. A2 CNN raporton se Ylli Murati ishte në kërkim për plagosjen e dyfishtë me thikë 2 javë më parë, në Paskuqan.
Sipas policisë ai lëvizte i armatosur në qytet dhe gjatë kontrollit në automjet iu gjetën 1 pistoletë, krehri i saj me fishekë, dhjetëra fishekë të kalibrave të ndryshëm, 1 thikë dhe një sasi lënde e dyshuar narkotike kokainë.
A2 CNN mëson se Ylli Murati është vëllai i Fatjon Muratit, i cili është një emër i njohur për drejtësinë shqiptare. Emri i tij u përfol pas masakrës në mbikalimin e Fushë-Krujës, ku mbetën të vrarë Brilant Martinaj (nipi i Ervis Martinajt), Besmir Hoxha dhe Dikler Vata.
Pas ngjarjes, Murati ishte një nga personazhet që Prokuroria e Kurbinit kërkoi për të marrë në pyetje.
Fatjon Murati është shpallur në kërkim prej datës 12 mars 2023, ditë kur në Don Bosko u regjistrua një atentat, ku persona të paidentifikuar qëlluan me armë në drejtim të lokalit në pronësi të tij dhe për pasojë humbi jetën 58-vjeçarja Mimoza Paja, e punësuar në këtë biznes.
DVP Tiranë/Finalizohet operacioni i koduar “Udhëkryqi”.
I kërkuar për plagosje të dyfishtë, me mjet prerës, lëvizte i armatosur në qytet, lokalizohet, kapet dhe vihet në pranga 41-vjeçari.
2 javë më parë, në Paskuqan, 41-vjeçari, dyshohet se plagosi shtetasit E. Q. dhe A. V., gjatë një konflikti të çastit.
Sekuestrohen 1 armë zjarri (pistoletë), krehri i saj me fishekë, dhjetëra fishekë të tjerë të kalibrave të ndryshëm, 1 armë e ftohtë (thikë), një sasi lënde e dyshuar narkotike Kokainë dhe automjeti tip “Benz” qe drejtonte i ndaluari.
Si rezultat i punës operative dhe asaj operacionale, kryer me qëllim lokalizimin, kapjen dhe ndalimin e shtetasve të shpallur në kërkim, si dhe të shtetasve që cenojnë sigurinë publike, duke lëvizur të armatosur ose me sende të tjera të kundërligjshme, me vete, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet e Sektorit të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, finalizuan operacionin e koduar “Udhëkryqi”, gjatë të cilit u vu në pranga shtetasi Y. M., 41 vjeç.
Në kuadër të operacionit u ndalua për kontrolle, në rrugën “Mine Peza”, automjeti me drejtues 41-vjeçarin. Në automjet u gjetën 1 armë zjarri (pistoletë), krehri i saj me fishekë, dhjetëra fishekë të kalibrave të ndryshëm, 1 armë e ftohtë (thikë) dhe një sasi lënde e dyshuar narkotike Kokainë.
41-vjeçari ishte në kërkim, pasi më datë 2 qershor 2026, dyshohet se gjatë një konflikti të çastit, ka plagosur me mjet prerës (thikë), shtetasit E. Q. dhe A. V., tek ura e Paskuqanit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.