Ambasadat shqiptare si “fole” pasurimi, dhe jo mbrojtjeje për shtetasit shqiptarë

Mbrojtja e të drejtave të shtetasve shqiptarë, përveçse një detyrim patriotik është në fakt më shumë se kaq një detyrim kushtetues.
Ndër dispozitat e para të kushtetutës nis pikërisht me këtë garanci. Pra në Nenin 8 thuhet shprehimisht:
- Republika e Shqipërisë mbron të drejtat kombëtare të popullit shqiptar që jeton jashtë kufijve të saj. 2. Republika e Shqipërisë mbron të drejtat e shtetasve shqiptarë me banim të përkohshëm ose të përhershëm jashtë kufijve të vet. 3. Republika e Shqipërisë u siguron ndihmë shtetasve shqiptarë që jetojnë e punojnë jashtë shtetit për të ruajtur e për të zhvilluar lidhjet me trashëgiminë kulturore kombëtare.
Dispozita e mësipërme e kushtetutës nuk ka nevojë në fakt për ndonjë sy juristi e as për ndonjë intepretim të thelluar, pasi e përcakton mjaft qartë obligimin e shtetit shqiptar ndaj qytetarëve të tij që jetojnë jashtë kufirit.
Por si çdo herë tjetër shteti ynë është treguar thuajse tërësisht inekzistent e indiferent kur ka ardhur puna për të mbrojtur, asistuar apo ndihmuar bashkëkombasit tanë që jetojnë jashtë trojeve.
Nga hapja e kufijve zyrtarë shtetërorë e deri më sot në vendin fqinj në Greqi, kanë humbur jetën me qindra emigrantë shqiptarë ku pjesa më madhe kanë vdekur nëpër burgje. Dhe ironia e fatit është që asnjë gardian apo zyrtar i burgut nuk ka mbajtur përgjegjësi për këto raste.
Por edhe më ironike e aq fatkeqësi është mosveprimi e indiferentizmi i shtetit tonë për të mbrojtur e kërkuar llogari për qytetarët e tij që i vdesin përditë burgjeve.
Për këto vdekje nëpër burgjet greke e jo vetëm ka pasur reagime edhe nga organizmat ndërkombëtarë. Në jo pak raste ka reaguar OKB-ja, Komisoni Evropian e institute të huaja, por jo shteti shqiptar.
Dhe të mendosh që nga taksat tona dhe nga taksat e familjeve të atyre që përfundojnë të vrarë nëpër burgje vetëm pse janë shqiptarë, paguhen me dhjetëra e qindra punonjës ambasadash për të mbrojtur e për t’u kujdesur për ta. Por që në fakt ambasadat tona nëpër botë nuk e kanë kryer kurrë rolin për të cilin paguhen.
Në të shumtën e rasteve ata nuk u hapin as telefonin shtetasve shqiptarë që kanë nevojë për to. Për të mos thënë që trefishojnë a katërfishojnë tarifat e shërbimeve që merren nëpër zyrat e atyre.
E gjithë kjo sepse për ata me rëndësi është fitimi dhe jo kryerja e misionit të tyre. E gjithë kjo sepse amabsadat tona nëpër botë, kryesisht në evropë janë të zëna duke siguruar specializime e doktoratura për vete dhe të afërmit e tyre, dhe nuk kanë kohë t’i hapin telefonin babait të Florencit, djalit nga Shkodra që vdiqi një vit më parë në një burg në Francë, nga dhuna e madhe e ushtruar nga gardianët.