Nuk ka më shpëtim/ Zyrtarët me pasuri të paligjshme do hetohen sipas ligjit që vjen nga SHBA

Daljet publike të Ramës, që prej ditës së parë kur artikuloi ligjin “KÇK”, e thënë ndryshe “Kap ça t’kapësh” pati reagime aspak pozitive, sidpomos nga ata që kanë qenë dhe janë në rrezik të shtuar, nëse do të hyjë në fuqi. Kjo bëri që një pjesë e mirë e zyrtarëve me pasuri të çmendur të bënte gjithçka për të mos pranuar, qoftë edhe teorikisht këtë ligj.
Por, duket se ky ligj e ka udhën të shtruar. Për arsye se Qeveria shqiptare ka kërkuar ndihmën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës me qëllim konsultimet për të pasur një ligj, që mbi të gjitha jep Drejtësi, por edhe nuk shkel të Drejtat e Njeriut, një parim me mjaft rëndësi për BE dhe SHBA.
Që zyrtarët shqiptarë janë të përfshirë në korrupsion, kjo nuk do shumë investigime, sepse shumë të tilla janë publikuar ndër vite nga mediat e shkruara dhe ato vizive. Por, që pasuria e tyre të sekuestrohet nuk ka pasur një ligj, për të cilin duket se tashmë nën trysninë amerikane do të përpilohet ashtu si duhet.
Ideja për një ligj që do të marrë edhe “bekimin parlamentar” erdhi pasi shumë prokurorë e gjyqtarë u tërhoqën nga vettingu, duke qenë të sigurt për shkarkimin, pas mosjustifikimit të pasurisë.
“Number one” në këtë listë është Adriatik Llalla që ka dhënë dorëheqjen, por që ka më shumë se një milion pasuri të tundshme e të patundshme, pasuri për të cilat është marrë vendim për sekuestro preventive.
Kohë më parë, ka funsionuar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda një njësi speciale, e njohur si Njësia Antikorrupsion në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Kjo strukturë kishte për mision hetimin e zyrtarëve të korruptuar e të përfshirë në afera korruptive.
Por, duket se në asnjë rast nuk shkoi ashtu si duhet. Njësia Antikorrupsion në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, që u krijua për hetimin e zyrtarëve të lartë, gjyqtarëve dhe prokurorëve, në një vit pati vetëm tri çështje të suksesshme. Dy gjyqtarë dhe një kryekomunar u arrestuan nën akuzën e korrupsionit pas hetimeve të kryera nga kjo njësi.
Tashmë, kur faktori ndërkombëtar ka shtuar presionin për hetimin e zyrtarëve të korruptuar në Shqipëri, SPAK ka marrë përsipër “barrën e rëndë”.
Nga burime të SPAK janë më shumë se 400 çështje me pasuri të paligjshme zyrtarësh, që mesa duket do të kenë fund vetëm në rast se ligji për “KÇK” do të hyjë në fuqi dhe nisë zbatimi si duhet.