Çela dhe Dumani raportojnë sot para deputetëve

Këtë të martë në orën 10:00, 14 tetor, drejtuesi i SPAK Altin Dumani dhe ai i Prokurorisë së Përgjithshme, Olsian Çela do të raportojnë në mbledhjen e përbashkët të dy komisioneve, ai i Nismave për Qytetarët dhe Mbikëqyrjen Institucionale dhe të Ligjeve.
I pranishëm do të jetë dhe ministri i Drejtësisë Besfort Lamallari.
Kujtojmë se të hënën, 13 tetor, në Komisionin për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike, raportoi mbi veprimtarinë vjetore për 2024-ën, kryetari i Inspektorit të Lartë të Drejtësië, Artur Metani.
“Më lejoni të theksoj rolin e rëndësishëm të Kuvendit në këtë situatë të vështirë që kaluam. Dëshiroj të falenderoj Kuvendin për aktin solemn të nderimit të gjyqtarit me një minutë heshtje.
Ajo që ndodhi ishte tronditëse për të gjithë, solidariteti njerëzor dhe institucional është jetik për të përballuar situata të tilla, ku gjetja e kufijve të duhur për të ndarë nga njëra anë problemet e sistemit, pakënaqësitë e bazuara dhe të pabazuara te puna e gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe nga ana tjetër reagimet ekstreme me çmim shumë të rëndë, shumë e vështirë”, u shpreh ai lidhur me vrasjen e gjyqtarit, Astrit Kalaja, në fillim të javës së shkuar më 6 tetor.