Raporti i SPAK për 2026, Braho: 16 hetime për zyrtarë të lartë dhe mbi 440 mln euro pasuri të sekuestruara

Kreu i SPAK, Klodian Braho ka bërë një raport të aktivitetit të këtij institucioni për periudhën 1 janar – 15 korrik 2026. Sipas raportit të prezantuar, më 15 korrik 2026 ishin aktive 616 procedime penale, ose 15.87% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kur numri i tyre ishte 732. Në të njëjtën kohë, janë regjistruar 182 procedime të reja, 39.6% më pak se në periudhën janar-korrik 2025.

Raporti thekson se ulja e procedimeve të reja lidhet kryesisht me muajt prill dhe maj, kur u pezulluan regjistrimet për shkak të periudhës zgjedhore. Megjithatë, SPAK vlerëson se treguesit nuk pasqyrojnë rënie të veprimtarisë kriminale, por ndikimin e kallëzimeve dhe identifikimit proaktiv të veprave penale.

Në vitin 2026, numri i procedimeve penale aktive nga 616 ne datën 01.01.2026, u reduktua në 551 procedime penale në hetim në datën 15.07.2026, pra me 65 procedime penale me pak ose 10.55% më pak. Në periudhën respektive të vitit 2025, stoku i procedimeve penale ishte në rritje, nga 584 ne 655, pra me 71 procedime penale me shume ose 12.2%. Raporti i procedimeve të përfunduara ndaj procedimeve të reja u rit nga 61.0% në të njëjtën periudhë të vitit 2025 në 166.4% ne vitin 2026. Kjo tregon se gjate vitit 2026 SPAK jo vetëm ka përballuar te gjithë fluksin e numrit te procedimeve te reja, por ka përfunduar edhe një pjese te konsiderueshme te ngarkesës se mbartur nga vitet e tjera. Si rezultat, më 15 korrik 2026 stoku i procedimeve aktive ishte 15.87% më i ulët se në të njëjtën date te vitit 2025”, thuhet në raport.

Po ashtu, sipas raportit, norma e përfundimit të këtyre çështjeve ka arritur në 53.3%, ndërsa për dosjet e vitit 2021 është reduktuar ndjeshëm stoku i çështjeve të pazgjidhura.

16 hetime për zyrtarë të nivelit të lartë

Gjatë periudhës së raportimit, SPAK ka regjistruar 13 procedime penale që përfshijnë gjithsej 16 zyrtarë të nivelit të lartë.

Pjesën më te madhe te personave të përfshirë e përbënin kryetarët ose ish-kryetarët e bashkive dhe drejtuesit e institucioneve qendrore. Këto dy kategori përfaqësonin se bashku 10 nga 16 personat, ose 62.5% të totalit.

Sipas të dhënave, mes personave nën hetim janë: 5 kryetarë ose ish-kryetarë bashkish; 5 drejtues ose ish-drejtues institucionesh qendrore; 3 gjyqtarë, ish-gjyqtarë ose prokurorë; 2 ministra ose ish-ministra; 1 deputet.

292 masa sigurie dhe 440 milionë euro pasuri të sekuestruara

Raporti tregon se gjatë gjysmës së parë të vitit janë caktuar 292 masa sigurie ndaj personave nën hetim. Prej tyre, 233 janë masa “arrest në burg”, 59 masa “arrest në burg” në fazën e ekzekutimit të vendimeve të mëparshme, ndërsa janë vendosur edhe masa të tjera si “arrest në shtëpi”, “detyrim për paraqitje”, “ndalim i daljes jashtë shtetit”, “pezullim nga detyra” dhe “pezullim i ushtrimit të një detyre ose shërbimi publik”.

Gjatë periudhës janar-korrik 2026 janë sekuestruar pasuri me vlerë prej rreth 440 milionë euro.

Mes pasurive të sekuestruara përfshihen prona të paluajtshme, automjete, llogari bankare dhe asete të tjera, ndërsa SPAK nënvizon se në periudhën 2020–2025 vlera totale e pasurive të sekuestruara arrin në rreth 220 milionë euro.

Ndërkohë, gjatë periudhës së raportimit, Prokuroria e Posaçme ka dërguar për gjykim 34 çështje penale ndaj 228 personave të pandehur, ndërsa numri total i çështjeve në gjykim në Shkallën e Parë ka arritur në 100.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT