Nga loja tek inovacioni: Fondacioni Vodafone me partnerët e tij mbështet Kampin Veror Inno Kids

Teknologjia dhe inovacioni mund të bëhen aleatë të zhvillimit të fëmijëve kur përdoren në mënyrë të sigurt dhe të balancuar. Ky ishte synimi i Kampit Veror Inno Kids në Korcë i cili mblodhi së bashku për 2 javë 70 fëmijë me kuriozitetin dhe me dëshirën për të mësuar më shumë për mjetet e botës dixhitale, të nxitur nga loja, sfida dhe krijimtaria.

Kampi Veror Inno Kids i mbështetur nga Fondacioni Vodafone në Shqipëri, në partneritet me Bashkinë Korcë dhe Këshillin Britanik, u dhuroi fëmijëve momente shumë të bukura mësimi, argëtimi e krijmtarie, nëpërmjet kiteve të kodimit, kurrikulës bashkëkohore të aftësimit dixhital dhe  mjeteve teknologjike. Ajo çfarë e bëri Inno Kids të veçantë përpos përmbatjes, ishin gjashtë mentorët dhe trajnerët e certifikuar si njohës të thellë të kurrikulave “21st Century Schools” të Këshillit Britanik dhe “Skills Upload Jr” të Fondacionit Vodafone të cilët,  punuan intensivisht dhe me përkushtim për t’u mësuar fëmijëve se përdorimi i teknologjisë është vlerë e shtuar në duart e tyre për të krijuar zgjidhje inovative në shërbim të shoqërisë dhe të njerëzimit.

Metodologjitë dhe kurrikulat që u përdorën gjatë gjithë zhvillimit të këtij kampi veror, nga data 13 Korrik në 24 Korrik 2026, ishin bashkëkohore me të gjitha vendet europiane ku Fondacioni Vodafone kontribuon me programin e tij Skills Upload Junior. Në qendër te kurrikulës, ishte jo vetëm ndërtimi i aftësive që sot konsiderohen thelbësore, si mendimi kritik, zgjidhja e problemeve, projektimi i zgjidhjeve teknologjike për probleme të rendësishme sociale, por edhe bashkëpunimi për të garantuar mirëqenien dixhitale të fëmijëve me qëllim që ata të ndjehen të sigurt për ta përdorur teknologjinë dhe shfrytëzuar të mirat e saj.

Nga duart dhe mendjet e këtyre 70 fëmijëve lindën projekte dhe koncepte inovative, të ndërtuara mbi atë çka mësuan gjatë ditëve në kamp, të prekshme, të krijuara prej tyre, për botën e tyre. Kjo ishte dëshmia se kur fëmijëve u jepet mjeti i duhur dhe liria për të eksploruar, ata nuk presin vetëm të mësohen, por te krijojnë.

Kampi veror Inno Kids nuk ishte thjesht “dixhital”. Fëmijët zhvilluan lojëra edukative, sfida në grup, ushtrime praktike që kërkonin imagjinatë po aq sa logjikë dhe vëmendje.

Në mbyllje të kampit veror Inno Kids u zhvillua një ceremoni përmbyllëse ku ishin të pranishëm z. Sotiraq Filo, Kryetar i Bashkisë Korçë, znj. Viola Puci, Drejtore Ekzekutive e Fondacionit Vodafone Shqipëri, si dhe znj. Majlinda Mazelliu, Zëvendësdrejtore për Ballkanin Perëndimor dhe Drejtore për Shqipërinë dhe Kosovën në Këshillin Britanik. Fëmijëve u shpërndanë edhe certifikatat për ata që provuan edhe njëherë se e ardhmja dixhitale e Shqipërisë mund të ndërtohet që tani, nga një fëmijë, me një ide dhe një verë në Korçë njëherësh.

Programi Skills Upload Jr, pjesë e nismave të Vodafone Foundation në Europë, synon të sigurojë që çdo fëmijë dhe i ri të ketë aftësitë dixhitale të nevojshme për t’u ndjerë i përfshirë dhe i përgatitur për botën e sotme. Ky program mbështet edhe mësuesit në integrimin e aftësive dixhitale në të gjitha lëndët mësimore, përmes përdorimit të teknologjive moderne, nga pajisjet inteligjente dhe inteligjenca artificiale te robotika dhe realiteti i shtuar. Vetëm gjatë vitit 2025-2026 nëpërmjet këtij programi janë trajnuar drejtpërdrejt 27.259 mësues dhe 253.206 nxënës, në Shqipëri dhe në 7 vende të Europës ku ky program zbatohet.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT