Tërmeti në Shqipëri/ Nisin punën mbledhësit e skrapit, rrezikojnë jetën

Në rrënojat e pallateve dhe godinave të tjera të shkatërruara nga tërnmeti 6.4 ballë i shkallës rihter, rreziku vijon të jetë prezent. Madje, pa frikë mund të thuhet se ekziston mundësia për viktima të tjera, nëse nuk merren masa në kohë.

Kjo për shkak se shumë prej atyre që e sigurojnë jetesën përmes skrapit kanë zgjedhur tashmë rrënoja, apo pallate që janë planifikuar për t’u shembur për të marrë ca hekurishte më shumë.

Një ditë më parë në Policinë e Laçit pati shumë informacione nga pronarët e disa apartamenteve se shtëpitë e tyre gjatë kohës që ata janë zhvendosur për të banuar në hotelet e Shëngjinit janë grabitur, madje duke marrë edhe pllakat, e jo më orenditë.

Në fakt, fenomeni është prezent. Madje pranohet edhe nga vetë Policia, por kjo e fundit thotë se e ka të pamundur të ruajë çdo pallat me forca policie. E aq më tepër kur për shkak të Gjendjes së Jashtëzakonshme në të cilën ndodhen tre qarqe të vendit detyrat janë qartësisht të shkruara në ligj edhe për Policinë.

Pallate gjysmë të shembura janë tashmë rreziku numër një. Sepse, shumë nga ata që mbledhin skrap përdorin edhe mjete si trapanë, çekiçë, apo pajisje të tjera me anë të të cilave nxjerrin skrap nga kolonat e pallateve.

Kështu, të vetmit përfitues në këtë situatë tejet dramatike për Shqipërinë janë grumbulluesit e skrapit, që nën gërmadhat e objekteve prej orëve të mëngjesit kanë nisur punën thuajse që prej ditës së dytë apo të tretë të katastrofës natyrore që shënoi 51 jetë të humbura dhe më shumë se 900 të plagosur.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT