VIDEO/ Braçe ngre alarmin për çmimin e naftës në Kuvend, opozita e “shpërqendruar”, Balliu i hedh dorën në qafë Gazment Bardhit dhe vazhdojnë bisedën

Gjatë seancës plenare në Kuvend, deputeti socialist Erion Braçe mori fjalën në foltore për të trajtuar çështjen e Bordit të Transparencës dhe problematikat në tregun e hidrokarbureve, duke theksuar ndikimin e modelit aktual në rritjen e çmimeve të naftës.
“Me tregun dhe çmimet e sotme në bursë, ne kemi çmimin neto të hidrokarbureve më të lartë në të gjithë rajonin. Po flas për çmimin neto, pa taksa fare që është më i larti se në Greqi, Maqedoni, Kosovë, Mal të Zi e Serbi”, u shpreh Braçe, teksa më tej ngriti shqetësimin lidhur me reagimin e furnizuesve të hidrokarbureve të cilët sipas tij po funksionojnë si një “kartel”.
“Ajo që më bëri përshtypje ishin tonet kërcënuese të një shoqate që funksionon në treg si kartel, tone kërcënuese për të ndërprerë furnizimin, importin e me radhë, janë tone kriminale që kërcënojnë sigurinë kombëtare që duhet të marrin përgjigje duke shembur modelin e tregut të hidrokarbureve që garanton fitime, arrogancë dhe kërcënime nga operatorët në këtë treg”, u shpreh ndër të tjera socialisti.
E teksa ai po mbante fjalimin e tij dhe ngrinte shqetësime mbi funksionimin e tregut dhe sjelljen e operatorëve, në krahun tjetër të sallës u vu re një situatë tjetër mes deputetëve të opozitës. Jorida Tabaku, Gazment Bardhi dhe Klevis Balliu ishin duke komunikuar me njëri-tjetrin.
Siç duket edhe nga pamjet, gjatë kohës që Braçe fliste në foltore, Balliu i kishte hedhur krahun mbi qafën e Bardhit, ndërsa të tre demokratët, së bashku me Tabakun, shihen të përfshirë në një diskutim intensiv, paralelisht me zhvillimet në sallë.