“Amerika është rikthyer në SPAK!” Altin Dumani zyrtari i parë që zhvillon takim të nivelit të lartë me Administratën Trump, mesazhi që u përcoll një ditë më parë

Dy ditët e fundit kryefjalë e mediave tona ka qenë takimi që kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani zhvilloi pasditen e së martës në Departamentin e Shtetit në Uashington.

Lajmi u bë me dije zyrtarisht nga vetë Departamenti i Shtetit amerikan, të cilët teksa publikuan axhendën e zyrtarëve amerikanë, njoftuan se në selinë e diplomacisë, kreu i SPAK do të pritej në orën 16:30 nga Zyrtari i Lartë i Byrosë, Brendan Hanrahan.

Teksa deri më tani nuk ka asnjë detaj lidhur me atë çfarë është biseduar brenda takimit me dyer të mbyllura, në Shqipëri analistët, politikanët dhe gazetarët kanë “vluar” duke komentuar këtë vizitë të Dumanit në Departamentin e Shtetit.

Për ish-zv.komandantin e  Forcave të Detare, Artur Meçollari, mesazhi që u përcoll përmes këtij takimi ishte i qartë: “Amerika është rikthyer në SPAK”.

Teksa në ditët në vijim priten më tepër detaje lidhur me përmbajtjen e takimit, Meçollari ka theksuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, treguan se qëndrojnë krah për krah me Prokurorinë e Posaçme dhe se kreu i saj, Altin Dumani është zyrtari më i lartë në Shqipëri që ka zhvilluar një takim të tille me Administratën e Donald Trump, qysh nga 20 janari 2025.

“America is back. Mesazhi i parë dhe i qartë. Përtej asaj çfarë është diskutuar dje në takimin midis Hanrahan dhe Dumanit në Departamentin e Shtetit të SHBA, mesazhi i parë i takimit është për ata që që besuan se Amerika u largua përgjithmonë nga SPAK.  Mesazhi është i qartë “Amerika është rikthyer në SPAK”.  Të tjerat janë veç hamendësime.  Ditët në vijimë ndoshta do të tregojnë diçka më shumë mbi përbajtjen e takimit”, shkruan ai ndër të tjera.

Forcimi i bashkëpunimit mes institucioneve të drejtësisë shqiptare dhe autoriteteve amerikane ka qenë prioritet për Strukturën e Posaçme dhe kryesisht kreun e saj.

Më herët diplomatët amerikanë kanë theksuar se Uashingtoni e sheh SPAK-un si një prej institucioneve kyçe në procesin e forcimit të shtetit ligjor në Shqipëri dhe në përshpejtimin e integrimit europian.

Ky takim mes Dumanit dhe Hanrahan, erdhi si një sinjal i qartë mbështetje nga SHBA për reformat në drejtësi dhe përpjekjet për ndëshkimin dhe “çrrënjosjen” e korrupsionit duke mos toleruar askënd, pavarësisht pozitave të tyre politike.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT